"Çlirohuni nga e kaluara", mesazhi i koduar i Edi Ramës për Arben Krajën

11 May 2022, 12:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Çlirohuni nga e kaluara", mesazhi i koduar i Edi Ramës
Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për dosjet 187 dhe 339 për çështjet zgjedhore dhe përgjimet ku ‘inkriminohet’ PS në vjedhje votash ka njerëz që janë në burg dhe janë hetuar. Ai tha se nëse kanë fakte, të çojnë kallëzim në SPAK.

"Sali Berisha, Ilir Meta, prokurorë, gjyqtarë, Vetting, Gërdeci dhe 21 Janari", këto ishin disa nga temat kryesore që kryeministri Edi Rama tha sot para mediave. Rama foli me gjuhë të ashpër ndaj drejtuesit të SPAK, Arben Kraja ku i tha se duhet të "çlirohet nga e kaluara".

Ky mesazh kodues i Ramës për Arben Krajën duket se ka sinjalin kodifikues, se pse nuk po hetohet ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidentin aktual. 

Një tjetër denoncim ka bërë Rama në konferencën për shtyp sot së bashku me ministrin Manja. Rama ka përmendur faktin se projekti për ndërtimin e një Teatri Kukullash ka mbetur peng sepse një gjyqtare i ka dhënë vetes pronën shtetërore të Garda e Republikës.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua me pyetje drejtuesit të SPAK: "Çfarë kërkon Arben Kraja nga unë kur e ka këtu këtë gjyqtare?”

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

"Ministri i Drejtësisë ka çuar çështjen e Teatrit të Kukullave, fëmijët e Tiranës e presin. Ne kemi bërë projektin, e kemi gati, dhe pronën na e ka marrë një gjykatëse, pronën e shtetit të Garda e republikës. Kemi spostuar Gardën e Republikës për ta ndërtuar dhe pronën na e ka marrë një gjyqtare. Një javë para se ta shporrte vettingu na vënë sigurim padie për teatrin e fëmijëve. Ndërsa ka 462 mijë euro të pajustifikuara! Çfarë kërkon Arben Kraja nga unë kur e ka këtu këtë gjyqtare?”, tha Rama.

 Arben Kraja “kali i Trojës” së Ilir Metës në SPAK?

Arben Kraja, i cili e mbyll mandatin si drejtues i SPAK në fund të këtij viti, dhe gjasat që të marrë mbështetje nga mazhoranca për rikonfirmim apo mandat të përjetshëm siç do ai sipas burimeve të Voxnews.al janë afër zeros.

Kraja ka shfrytëzuar në çdo dalje publike që të lëvdojë punën e strukturës që drejton kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por bilanci i SPAK kundër korrupsionit të niveleve të larta, të krijon perceptimin se ai është i orientuar vetëm drejt njerëzve ‘armiq’ të Ilir Metës.

I pari është Saimir Tahiri. Ilir Meta e sulmoi jo pak herë ish-ministrin e Brendshëm gjatë bashkëqeverisjes me socialistët, madje në disa deklarata e ngrinte hera-herës aq lart stekën e presionit sa kërcënonte me tërheqje nga koalicioni nëse Saimir Tahiri nuk largohej nga qeveria.

Emrat e tjerë janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako, që të dy ish-bashkëpunëtorë të Ilir Metës, që e braktisën atë për t’u bërë pjesë e socialistëve në 2017-n. Për Kokën e Bllakon denoncimet më të mëdha publike i ka bërë Monika Kryemadhi, ndërsa Metën e frenoi disi kostumi presidencial. Por, kulmi arrin me mosfillimin e asnjë hetimi për Sali Berishën, kur është shpallur “non grata” nga amerikanët për korrupsion.

Kraja po humbet dhe besimin e amerikanëve për këtë çështje, dhe duket se dora e zgjatur e Ilir Metës në SPAK është më e fortë dhe se ndikimi i amerikanëve që janë autor dhe financues të Reformës në Drejtësi.

Por cila është lidhja e Ilir Metës me Arben Krajën?

Në CV-në e dorëzuar nga Arben Kraja ai thotë se nga marsi i 2001-it deri në maj të 2002-it ka punuar si drejtues i Njësisë Antikorrupsion pranë Kryeministrit të asaj kohe dhe Kryeministër në pjesën më të madhe të kohës ka pasur Ilir Metën.

Meta e ka mbajtur këtë post nga nëntori i 1999-s deri në shkurt të 2002-it. Pra, tre muaj pasi Ilir Meta iku nga posti i Kryeministrit, largohet nga pozicioni i drejtuesit të Njësisë Antikorrupsion edhe Arben Kraja.

Pozicioni i Krajës kategorizohet si nëpunës civil, pra post apolitik, prandaj arsye e largimit të tij fill pas largimit të Ilir Metës ngre dyshime se në këtë post ai është vendosur dhe mbajtur me bekimin e Metës.

Në CV-në e tij, Kraja thotë se gjatë këtyre muajve në detyrë ka hartuar strategjinë e parë antikorrupsion të qeverisë. Se sa e suksesshme ishte kjo strategji kjo ha debat, për faktin se qeverisjet e Ilir Metës dhe më pas e Fatos Nanos janë akuzuar si ndër më të korruptuarat në vend.

Kompetencat e drejtorit të Njësisë Antikorrupsioni pranë Kryeministrit përfshijnë koordinimin e të gjitha institucioneve të varësisë së Qeverisë dhe informimin periodik të Kryeministrit mbi politikat, planet dhe vendimet që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe, Arben Kraja ka raportuar te Ilir Meta për luftën kundër korrupsionit.

 


Video