Deputeti demokrat Ervin Salianji është mbrojtur në Gjykatën e Apelit, ku po gjykohet çështja “Babale”, duke thënë se të gjitha denoncimet e bëra prej tij në të kaluarën janë provuar e kanë dalë të vërteta.
“Denoncimin ne e kemi peshuar gjatë. Është bërë në 14 maj 2018. Për tri ditë me radhë ka pasur heshtje nga ministri i Brendshëm (Fatmir Xhafaj), nga prokurorët. Edhe pse për 8 vite ka qenë i lirë, zotëria (Geron Xhafaj) në influencën e vëllait dhe shokëve të vet shkon dhe vetëdorëzohet. Shkon me duar në xhepa në Romë të kryejë dënimin. E çojnë qëllimisht, që të mos depozitojë zë origjinal të vetin. Zëri i Xhafajt i është dhënë me USB prokurorisë nga avokati i tij. Nuk ka asnjë lloj prove dhe as një lloj fakti”.
Salianji është dënuar në Shkallën e Parë për “kallëzim të rremë”, akuzë që ai nuk e pranon.
“Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me dy persona që nuk i kam njohur kurrë. Albert Veliun e kam takuar kur më ka ardhur me gazetarin. Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim telefonik me mua, zero. Por ka komunikime me kreun e grupit parlamentar të PS, komunikim me drejtorin e Policisë së Fierit, me zv.drejtuesin e Policisë. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë, janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar”, është shprehur deputeti demokrat.
“Narrativa e tyre është që unë dua të rrëzoj qeverinë. Çfarë sensi ka kjo. Unë çdo ditë dua ta rrëzoj qeverinë. E kam mision. Për të denoncuar për interesin publik do dal prapë unë. Kush është interesi publik këtu? Një i dënuar shkoi të vuajë dënimin”.
Në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, Salianji kundërshton dënimin me një vit burg, dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor 2019 për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa masë sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.