Reformë në drejtësi? Duhen ende 42 milionë euro shtesë deri në 2030 për “të arritur” objektivat

20 Shtator 2024, 12:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Reforma në Drejtësi vijon të kërkojë para. Sipas dokumentit Strategjia ndërsektoriale e Drejtësisë, të cilën Ministria e Drejtësisë e ka nxjerrë për konsultim publik, do të duhen edhe 42 milionë euro shtesë për të arritur objektivat e parashikuara.

Ndërtimi i një sistemi drejtësie në përputhje me standardet europiane dhe vijimi i reformës së ndërmarrë në këtë sektor kërkon së paku edhe 42 milionë euro deri në vitin 2030. Sipas dokumentit Strategjia Kombëtare e Drejtësisë 2024-2030, plani i veprimit për realizimin e saj kërkon mbëhstetje financiare të vazhdueshme.

Sipas kostove të përcaktuara në Strategji shuma e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Drejtësisë 2024-2030 është rreth 42.7 milionë Euro.

Vetëm për periudhën 2024-2026, kostoja është vlerësuar rreth 27 milionë euro, të cilat janë planifikuar në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026, të institucioneve përgjegjëse.

Ndërkohë për periudhën 2027-2030, kostoja për zbatimin e Strategjisë është rreth 10 milion euro. Në strategji thuhet se “Për këtë periudhë është supozuar që për aktivitete të caktuara në Planin e Veprimit do të jenë në dispozicion fondet nga Buxheti i Shtetit për shpenzime korente dhe investime”.

Po ashtu në dokument vërehet se ka një hendek financiar prej 4 milionë euro që do të duhet të gjenden në vijim.

Sipas ndarjes buxhetore për periudhën 2024-2026, buxheti i shtetit pritet të financojë 63.9% të kostove totale ndërsa 25.5% janë shpenzimet e planifikuara për periudhën 2027-2030 të cilat po ashtu do të mbulohen nga buxheti. Në parashtrimin e kërkesës për paratë ministria e drejtësisë ka renditur 35 objektiva për tu realizuar në gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare. Deri në fund të vitit 2030 ka rritje progresive të numrit të nxënësve të informuar mbi njohuritë dhe kuptueshmërinë e proceseve te integrimit ne BE.

Video