Disa deputetë të PD kërkojnë ta shkarkojnë nga komisioni i Medias, vjen reagimi ‘sfidues’ i Flutura Açkës

26 June 2024, 20:43Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Disa deputetë të PD kërkojnë ta shkarkojnë nga
Flutura Açka

Kryetarja e komisionit të Medias Flutura Açka është bërë sot pjesë e debatit të grupit parlamentar demokrat, pasi shumica e deputetëve kërkojnë ta shkarkojnë nga kjo detyrë, me argumentin se ajo nuk po bën opozitë.

Sipas tyre, Açka nuk mund të jetë më në këtë pozicion, pasi nuk po e ushtron si duhet dhe nuk po mbron interesat e opozitës dhe kanë kërkuar nga kryetari i grupit që të marrë masa.

Gazment Bardhi ka kërkuar prej deputetëve mirëkuptim, duke thënë se nuk do merret asnjë vendim lidhur me këtë kërkesë pasi jepet mesazh i gabuar. Sipas tij duhet që të punohet për bashkim dhe jo për përçarje mes demokratëve.

Vetë Açka në një reagim në rrjetet sociale shprehet se është njeri institucional dhe jo fugë politike.

Sipas saj, opozitën e bashkojnë njerëz me zemër, jo Salierët politikë të rritur hijeve, e që vrasin hije.

Kujtojmë se kërkesa e deputetëve të PD është kundërshtuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, i cili është shprehur se “ne na duhet bashkimi dhe jo përjashtimi”.

“Ferra nga F(t)erra dhe vuajerizmi mediokër opozitar. Unë jam njeri institucional dhe jo fugë politike. Do të iki kur duhet ikur si politikane institucionale.

Të paktën nuk justifikoheni dot më që po bashkoni Opozitën. Opozitën e bashkojnë njerëz me zemër, jo Salierët politikë të rritur hijeve, e që vrasin hije.

Sa për opozitën time personale, e kanë parë dhe e vendosin shqiptarët. I sfidoj meraklijtë politikë: hapni listat me Shqipërinë një zonë në votimet 2025!

Le të na gjykojnë shqiptarët vetë kë duan ose jo deputetë. Çështja është se skakierën e pritshme politike amorale, vetëm amoralët nuk e shohin”, shkruan Açka.

Në mbështetje të Açkës ka dalë edhe deputetit demokrat Kreshnik Çollaku, sipas të cilit ajo i bën nder opozitës dhe Partisë Demokratike.

“Flutura Açka i bën nder Opozitës dhe Partisë Demokratike. Një kolege si Flutura Açka është krenari e privilegj ta kesh në krah. Çdo insinuatë ndaj Flutura Açkës është provokim mediokër e sektar. Modeli i opozitarit me dinjitet, integritet dhe plot qytetari si Flutura Açka është kaq i rrallë këto kohë, dhe po aq i vyer për t’u ruajtur”, shkruan Çollaku.

 


Video