Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë mbështet propozimin e Shoqërisë Civile dhe Dhomës së Sipërmarrësve italianë në Shqipëri për zgjedhjen e Përparim Kalos në postin e Presidentit të vendit.
Përmes një shkrese drejtuar, kryeministrit Edi Rama, Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla si dhe krerëve të dy partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Monika Kryemadhi, Dhoma e Tregtisë vlerëson reputacionin, përvojën dhe kontributin si jurist në mbështetje të organizatave të biznesit për përmirësimin e legjislacionit shqiptar.
Përparim Kalo ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuse. Së fundmi ai ishte relator në çështjen e shkarkimit të Ilir Metës.

CV e z.Përparim Kalo
Gjatë karrierës profesionale prej rreth tre dekadash në sistemin e drejtësisë, Përparim Kalo është përfshirë në reformat ligjore e institucionale, përmes projekteve të hartimit të legjislacionit bashkëkohor, përfshirë por pa u kufizuar në, Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, Telekomunikacionet, Barrët Siguruese, Leasing Financiar, Koncesionet, Prokurimet Publike, Hidrokarburet, Minierat, Arbitrazhin Ndërkombëtar Tregtar dhe Ndërmjetësimin, Energjinë nga Burime të Rinovueshme, Sigurimet, Parandalimin e Pastrimit të Parave, Falimentimin, Bankat, etj.
Përparim Kalo është themelues i zyrës së avokatisë KALO & ASSOCIATES (1994), përfaqësuese edhe e shume kompanive Forture 500 and Fortune 100, si dhe këshilltar i organizatave ndërkombëtare dhe agjensive të zhvillimit, si BANKËS BOTËRORE, BERZH, USAID, SIDA, DANIDA, ADA, Albanian-American Development Foundation (AADF), etj., dhe këshilltar i disa ambasadave të akredituara në vendin tonë, si Ambasada e Austrisë, Gjermanisë Federale, Britanisë së Madhe, Japonisë, Vendeve të Ulëta, Danimarkës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, etj.
Përparim Kalo ka zgjeruar veprimtarisë në Prishtinë, Kosovë (2008), dhe në rajonin e Evropës Jug Lindore si bashkëthemelues i organizatës rajonale SEE LEGAL – SouthEast Europe Legal Group (ëëë.seelegal.org) (2003).
Ai ka luajtur rol aktiv dhe të shquar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ne forcimin e parimeve demokratike korporative dhe në fuqizimin e këtyre organizatave duke qenë vazhdimisht i zgjedhur në forumet drejtuese të organizatave të biznesit, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Austrisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj, Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Japoneze, Dhoma Franceze, Shoqata për Dialog Biznes-Parlament.
Përparim Kalo është veprimtar i shquar në fushën e diplomacisë ekonomike, krijimin e lidhjeve të ngushta e të qëndrueshme me titullarë të përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, me synim nxitjen dhe rritjen e vëllimit të investimeve në Shqipëri.
Përparim Kalo është përshirë edhe në jetën akademike dhe ka publikuar vazhdimisht artikuj dhe botime, dhe ka dhënë leksione të hapura, rreth temave që lidhen me të drejtën e biznesit, investimeve, arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar, privatësisë, pronësisë, informimi, pronësisë, prokurimeve publike, funksionimin dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese, si dhe shkrime të veçanta për reformën në fushën e drejtësisë (përfshirë gjyqësorin), etj.
Përparim Kalo dha kontribut të veçantë për vendin, në rrethanat e krijuara (viti 2020), duke pranuar mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, në forcimin institucional të këtij institucioni të rëndësishëm të vendit edhe nëpërmjet bashkëpunimit me gjykatat kushtetuese në Austri, Gjermani, Greqi, etj., dhe konsolidimin e paanësisë së vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.