Visar Zhiti kandidat për President? Poeti reagon për VoxNews: U bëftë vullneti i tyre

11 May 2022, 09:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Visar Zhiti kandidat për President? Poeti reagon për VoxNews: U
Në foto: Poeti, intelektuali, ish-ambasadori dhe ish-i dënuar politik, Visar Zhiti

Robert Hasa - Vox News

Emri i Visar Zhitit, poetit, intelektualit, ish-ambasadorit dhe ish-i dënuar politik, po qarkullon në ambientet e politikës si një nga kandidaturat e mundshme për postin e presidentiti të Shqipërisë. Duket se kjo kandidaturë mund të gjejë mbështetjen e të gjithë krahëve të politikës shqiptare.

Në një reagim ekskluziv për VoxNews.al, poeti Visar Zhiti u shpreh se: "Uroj më të mirën për vendin tim dhe për njerëzit! U bëftë vullneti i tyre"! Ky reagim i poetit duket si një shenjë pozitive se nuk do ti thotë jo një propozimi të tillë, në qoftë se ka dakortësi politike. 

Kush është Visar Zhiti:

Ai u lind në Durrës, i biri i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti. Visari u rrit në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973 përgatiti për përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore.

Babai i Zhitit kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.

Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video