Partia Socialiste ka hapur këtë të martë aplikimet për procesin e garës së brendshme për 61 kryetarët e degëve të partisë në 61 bashkitë e vendit. Përveç kryetarë degësh, mund të aplikojnë dhe ata që dëshirojnë të bëhen sekretar ekzekutiv në degët lokale të PS-së apo në nivel qarku, pozicion ky i cili u shtua përmes ndryshimeve statutore të 9 Prillit.
Sipas udhëzimit, është planifikuar që deri më 25 Maj të jenë administruar kandidaturat e mundshme për kryetar të degëve lokale të Partisë Socialiste. Aplikantët duhet t'i paraqesin dokumentat pranë selive të degëve, gjithashtu dhe elektronikisht tek selia qendrore e partisë.
Gjithashtu në udhëzim përcaktohet se kandidatët për kryetar duhet të kenë si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtar të partisë për një periudhë jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor.
“Procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë së bashkisë është i hapur dhe në të marrin pjesë të gjithë strukturat e partisë së bashkisë, drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet apo çdo anëtar i spikatur i PS në bashki. Kërkesat paraqiten në Asambletë Socialiste të Bashkive; gjithashtu një kopje dërgohet elektronikisht pranë selisë qendrore të Partisë Socialiste në adresën e e-mailit: [email protected]”, thuhet në udhëzimin e miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri.
Sa i përket, sekretarëve ekzekutiv, afati për përzgjedhjen e tyre është deri në 30 Qershor. Çdo kandidat për Sekretar Ekzekutiv të partisë në bashki/qark plotëson formularin e aplikimit, konkuron me dosjen e tij e cila duhet të përmbajë kërkesën, jetëshkrimin dhe formularin e integritetit. Dokumentet mund të dërgohen elektronikisht ose përmes postës në Selinë Qendrore të Partisë Socialiste në Tiranë, deri në datën 15 Qershor 2022.
“Sekretarët ekzekutiv të partisë në Bashki/Qark, do të përzgjidhen deri në datën 30 Qershor 2022. Procedura e propozimit të kandidaturave për Sekretar Ekzekutiv është e hapur. Të drejtën për të kërkuar përzgjedhjen në pozicionin e Sekretarit Ekzekutiv e ka çdo individ që plotëson kriteret: të ketë vendbanim ligjor jo më pak se 1 vit në territorin e bashkisë/qarkut përkatës; të jetë anëtar partie, si rregull për një periudhë jo më pak se 2 vjet, të ketë njohuri për organizimin e drejtimin e strukturave të partisë, të ketë arsimin e lartë. Preferohet me përvojë në drejtimin e një Këshilli Socialist, coordinator ose ish-koordinator elektoral i bashkisë, sekretar ose ish-sekretar i Asamblesë së bashkisë, kryetar/e ose ish-kryetar/e i FRES/FGS, etj”, thuhet në urdhërin e Gjiknurit.