Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së ish-zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili gjatë një interviste deklaroi këtë të mërkurë se lutet që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos shpallen fajtorë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pasi sipas tij, nëse kjo ndodh, do të ishte një tragjedi e vërtetë.
“LIRIA KA EMËR. Shpallja fajtorë e luftëtarëve për liri do të ishte një tragjedi”, shkruan Rama.
Ky reagim i Ramës vjen pasi gjatë një interviste, ish-diplomati amerikan dha opinionin e tij mbi çështjen e hetimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Lutem që kjo të mos ndodhë. Do të ishte një tragjedi e vërtetë për njerëzit që luftuan dhe shumë prej tyre vdiqën për lirinë e tyre, për ata njerëz që përfaqësuan miliona shqiptarë të Kosovës, që të shpallen fajtorë pa asnjë prove, që s’e kam parë asnjëherë. Do të ishte një plagë e madhe për sistemin ndërkombëtar të drejtësisë”, deklaroi Rubin duke përsëritur disa herë që shpreson dhe lutet që kjo mos të ndodhë.
Ish-diplomati amerikan James Rubin ka dhënë dëshminë e tij në shtator para Dhomave të Specializuara të Kosovës, në kuadër të mbrojtjes së ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, dhe krerëve të tjerë të akuzuar për krime lufte.