Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se të dërguarit e SHBA-së në Shqipëri do të këmbëngulin që zyrtarët e lartë në vend që kryejnë shkelje dhe abuzime të dalin përpara drejtësisë dhe të mos i shpëtojnë pandëshkueshmërisë. Kjo theksohet në një komunikim që Report Tv zhvilloi me Departamentin Amerikan të Shtetit nëpërmjet emailit zyrtar.
“Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, veçanërisht gjatë kohës që ishte kryeministër i Shqipërisë (…) Ai njihet gjerësisht se ka përdorur pushtetin e tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë (…). Veprimet korruptive të Berishës vazhdojnë të kenë jehonë në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin sot”, thuhet në email.
Më 19 maj të vitit 2021, DASH shpalli ‘non grata’ Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.
Pas vendimit të SHBA Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA.