
Rrëzohen dy amendamentet e propozuara nga Sali Berisha për buxhetin e vitit 2025.
Amendamentet e propozuara nga Berisha ishin:
1. Pezullimin e të gjitha prokurimet për investime publike luksi të qeverisjes qëndrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë
2. Ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qëndrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve.
Deputeti i PS, Erion Braçe argumentoi se amendamenti i propozuar nga Sali Berisha për pezullimin e prokurimeve për investimeve publike të qeverisjes vendore nuk ka lidhje me nenin 2 të projektbuxhetit të vitit 2025.
Elisa Spiropali: Do të votojmë dy amendamente të paraqitura nga deputeti Sali Berisha. Amendamenti i parë, në nenin 2 shtohet neni 2.1, ku propozohet pezullimi i të gjitha prokurimeve për investimet publike të qeverisjes vendore deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik të Shqipërisë. Ky ndryshim të pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit.
Erion Braçe: Neni 2 thotë qartazi se buxheti i shtetit për 2025 është të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti dhe i referohet nenit 1. Propozimi që është bërë s’ka lidhje me këtë nen. Porpozimi s’ka lidhje. Tallje me këtë nen.
Me gjuhë po të ashpër, iu kundërpërgjigj Sali Berishës deputeti socialist Eduard Shalsi. Sipas tij, kryetari i PD-së duhet të ishte tërhequr nga politika me kohë.
“Koha e Saliut ka perënduar njëherë e mirë. Talljen më të madhe nuk na e ka bërë ne!”, tha ai.
“Sali Berisha mbetet një rudiment politik, ky rikthim është në fakt konfirmim i dështimit të tij politik. E humbe shansin Sali! E kuptoj marazin, pikëllimin dhe sikletin e madh se çfarë do të thotë në moshën tënde të ballafaqohesh me disa të vërteta që ndoshta as nuk i kishe kuptuar. Përveçse keqardhjes që humbe shansin e jetës për t’u tërhequr dhe të lije historinë të gjykonte mbi ty, ti vazhdon mban peng një popull opozitar që ka një nevojë ulëritëse për t’u përfaqësuar. Je i dënuar të vuash në këtë moshë marazin dhe turpin e të larguarit nga politika në mënyrë aspak dinjitoze. Me amandementin u tregove shqiptarëve se cili je. Mbetesh një rudiment politik”, iu drejtua Shalsi ish-kryeministrit Berisha.