Sot në Bruksel zhvillohet konferenca e 7-të ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave “Bujqësia dhe Kohezioni”. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në tryezë do të jenë gjithashtu komisionerja Marta Kos dhe ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre.
Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër.
BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.