Deputeti Erjon Braçe ngriti sot në Kuvend shqetësimin për mosfunksionimin e Shkollës 9-vjeçare Edith Durham, ndonëse ndërtimi i saj ka përfunduar prej disa javësh.
Sipas tij, prej katër javësh i ka kërkuar ministres së Arsimit një përgjigje zyrtare se përse shkolla nuk ka nisur ende aktivitetin, ndërkohë që godina është gati.
“Javën tjetër bëhen më shumë se 4 javë nga kërkesa për një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit. Shoh që ministrja është këtu dhe kuptoj që është problem i parlamentit. Çështja për të cilën interesohem është hapja e shkollës ‘Edith Durham’ që ka mbaruar në tetor dhe më 19 shkurt s’është hapur ende. (...) Atje janë 850 nxënës minimalisht që shkojnë turni i dytë, 1700 prindër e gjyshër që duhet të rregullojnë axhendën dhe punën e tyre për të marrë një përgjigje se kur hapet shkolla ‘11 janari”, tha Braçe
Por ndërsa në Kuvend u përmend vetëm “Edit Durham”, sipas dëshmisë së një prindi dhe verifikimi të bërë nga Vox News, e njëjta situatë paraqitet edhe në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë. Edhe kjo shkollë, e cila përveç faktit që tejkaloi çdo afat rindërtimi, sot rezulton të jetë e përfunduar, por ende nuk ka hapur dyert për nxënësit.
Si pasojë, fëmijët e “Pjetër Budi” po zhvillojnë mësim me turne në shkollat pranë zonës, një zgjidhje që rëndon procesin mësimor, por edhe organizimin familjar, siç tha deputeti i PS.
Në këtë pikë, pyetja mbetet konkrete: Nëse godinat janë gati, çfarë po pengon hyrjen e fëmijëve në shkollë?
Deri në një përgjigje nga Ministria e Arsimit, nxënësit e “Edit Durham” dhe “Pjetër Budi” do të vijojnë mësimin në kushte të vështira, ndërsa shkollat e reja mbeten bosh në pritje të ndonjë inaugurimi me “sfond zgjedhor”.
Vox News