Deputeti socialist Erion Braçe tha se njoftimi i ambasadës amerikane është çështje që duhet trajtuar në komisionet parlamentare dhe nuk duhet përhapur panik.
Kjo godet sektorin ekonomik të turizmit, tha ai ndërsa vërejti se është një përpjekje që vijon prej muajsh.
Braçe solli në vëmendje edhe interpelancën e kërkuar që në shkurt me ministrin e Bujqësisë, i cili kësaj here s’ndodhet i pranishëm për shkak të një angazhimi në Kosovë.
Braçe: Kush bën një deklaratë në këtë sallë, duhet të mendojë dhe për ekonominë. Paniku që përhapet në të tilla raste, godet ekonominë. Punën e tyre dhe të ardhurat e shqiptarëve. Duhet të ketë përgjegjshmëri në këtë sallë, këto duhet të diskutohen në komisione, me dyer të hapura dhe të mbyllura. Dhe atje për mos të shkaktuar panik me pasoja mbi ekonominë e shqiptarëve, apo me turizmin. Kërkoj prej shkurtit interpelancë me ministrin e Bujqësisë. Tre javë më parë pranova argumentin që ministri është në Bruksel, edhe për shkak të angazhimeve që është në BE. Sot më thonë se ministri është në Kosovë. Por nuk mendoj se kjo është arsyeje. Në këto momente mund të lëvizë ministri i Jashtëm, i Mbrojtjes, por ai i Bujqësisë duhet të jetë këtu, të përgjigjet për vendin. Nuk duhet të dalë nga agjenda siç e kërkon një ministër. Nuk duhet të ndodhë më kjo gjë. Më janë dashur 6 javë që të marr informacion, tani më duhen 6 javë që të flas me ministrin.