Kryeministri Edi Rama ndodhet në Francë, në një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, ku nënshkruan edhe dy marrëveshje bashkëpunimi mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zbuloi detajet e dy marrëveshjeve e nënshkruara mes Parisit dhe Tiranës.
“Pata nderin të nënshkruaja sot në Paris, në emër të Qeverisë Shqiptare, dy marrëveshjeve prioritare me Qeverinë Franceze, shenjë e qartë e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, që do t’i hapin rrugën zhvillimit të projekteve strategjike në sektorë të ndryshëm, thelbësorë për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e parë, e nënshkruar me Z. Jean-Noël, Ministër për Evropën, ishte një Marrëveshje Ndërqeveritare e nivelit më të lartë, që për herë të parë hedh bazat për bashkëpunimin në projekte strategjike mbi turizmin, menaxhimin e ujit, mjedisin e mbetjet, inovacionin, dixhitalizimin, energjinë, infrastrukturën e transportin, arsimin, administratën publike, shëndetësinë dhe bujqësinë, nisma që do të realizohen në nivel dypalësh, si edhe nga sipërmarrjet më të mirënjohura franceze, falë edhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit francez.
Marrëveshja e dytë, e bashkë-nënshkruar me Znj. Marie-Hélene Loison, zv/Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) dhe Ambasadores së Francës për Shqipërinë, Znj. Catherine Suard, i hap rrugën financimit të programit transformues të titulluar “Zhvillim i Gjelbër dhe i Qëndrueshëm". Në kuadër të kësaj nisme, Shqipëria do të mbështetet në vlerën 120 milionë euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, fond që do të shërbejë si katalizator për implementimin e projekteve dhe reformës transformuese të ndërmarrë nga Ministria e Turzimit dhe Mjedisit.
Një falenderim i veçantë i shkon ekipeve reciproke që punuan për negocimin dhe hartimin e këtyre marrëveshjeve, çka nënvizon momentin historik dhe të shkëlqyer të partneritetit mes Qeverisë Franceze dhe Qeverisë Shqiptare, me përkushtimin për progres e zhvillim të ndërsjelltë”, shkruan Gonxhe në rrjetet sociale.