Berisha pret eurodeputetin Gahler: Afera AKSHI, më e rëndë se dosja ‘Epstein’

18 February 2026, 18:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha pret eurodeputetin Gahler: Afera AKSHI, më e rëndë se
Takimi me Michael Gahler

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti sot në një takim në selinë e PD-së, eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore në Parlamentin Europian.

Gjatë takimit, Berisha i shprehu përfaqësuesit të lartë europian shqetësimet e opozitës për aferat e korrupsionit në qeveri dhe aferën tek AKSHI-i, si dhe “përpjekjet e Ramës për të ndërhyrë në legjislacion, me qëllim krijimin e një mburoje për korrupsionin e tij dhe të ministrave”.

Berisha theksoi se amendamentet ligjore që synon Rama dëmtojnë, jo vetëm luftën e drejtësisë kundër korrupsionit, por edhe procesin e integrimit europian. Sipas kryetarit të PD-së, opozita e mbështet pa kushte procesin e integrimit në BE, por kërkon që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, i bazuar në meritë dhe të mos përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria.

Berisha bëri edhe një panoramë të “skandalit të AKSHI-t”. Ai tha se kjo aferë për Shqipërinë tejkalon ‘aferën Epstein’, jo vetëm si akt korruptiv, por sipas tij, edhe sepse prek një pjesë themelore të strukturës shtetërore, përfshirë këtu sigurinë kibernetike.

Berisha dhe Gahler u ndalën edhe te zgjedhjet e fundit në Shqipëri, ku kryetari i Partisë Demokratike u shpreh i kënaqur me faktin se një mision vëzhgues u dërgua nga Parlamenti Europian, dhe eurodeputeti ishte pjesë e tij dhe mundi të shihte vetë ato “shkelje të rënda” që thekson raporti i OSBE, por edhe 7 rezolutat ndërkombëtare, që “i kanë dënuar zgjedhjet e manipuluara shqiptare”.

Berisha akuzoi Ramën gjithashtu se “ka lidhje me kriminelë dhe trafikantë droge”.


Video