Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqitet sot në SPAK, në zbatim të masës "Detyrim paraqitje" lidhur me dosjen "Partizani".
Berisha pasi doli nga SPAK ka treguar mesazhin që ka lënë ditën e sotme në Prokurori, ku ka deklaruar se bashkëpunimi i kreut të SPAK, Altin Dumanit me krimin do marrë ndëshkimin e merituar.
"Zëvendëskreut të krimit monstruoz elektoral, Altin Troplinit. Klodiana, nuk mund të quhet ndryshe ky, pas aktit të tij të shëmtuar të fshehjes në xhep dhe të mosekzekutimit të urdhrit të arrestit për Troplinët gjersa ata u arratisën. Ndaj dhe sot e përgjithmonë ai do mbetet në analet si Altin Troplini. Dhe avokatit më kryesor të karteleve qeveritare të drogës. Ju jeni dëshmitarë se unë kam paraqitur këtu para jush bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën. Bisedën e tyre të famshme telefonike ku i thotë Suel Çelës se ne po e arrestojmë kundërshtarët e tu dhe ju do jepni votat që ne kërkojmë. Dhe ky pakt u zbatua. Dhe bisedën tjetër ku Suel Çela i thotë Taulant Ballës, se me një... nëmos gabohem Dritan Hallullin, do të shkosh dhe të nxjerrësh nga burgu dy terroristë të vërtetë, të cilët i vunë në shalën e biçikletës tritolin Lulzim Kullës, dhe tritoli ra në tokë dhe shpërtheu në mes të qytetit dhe mund të kishte shumë viktima. Dhe këta të dy, Tao shkoi dhe i liroi bashkë me Hallullin, i cili është diku në KLGJ apo në KLP. Ju jeni dëshmitarë se si Altin Hajri i thotë Çyrbes së tij shih pak, merrja masat një fije atij Olsit, se ai u tregua burrë i mirë, duke përdorur emrin e një Olsi, Olsi Ramës, për Ulsi Manjën. Ai nuk ishte Olsi Rama, por ishte Ulsi Manja. Dhe ju e keni vënë re se si i ndërron kostumet Ulsi Manja. Garderoba e tij është me nj numër të pafundëm kostumesh, sepse siç bëri Altin Hajri, bënë edhe hajrat e tjerë. Pra të gjitha këto mbrohen me vendosmëri nga Altin Troplini. Por i siguroj se bashkëpunimi i tij me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar. Kjo është çka unë lashë aty," tha Berisha.
Kreu i PD vijoi sërish akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Ai përsëriti deklaratat se ka qenë e dënuar dhe dëbuar nga Greqia, duke akuzuar edhe KLGJ-në se e ka mbrojtur.
"Edhe njëherë rikujtoj shqiptarët se si Edi Rama, produkti më kriminal në Europë i Xhorxh Sorosit, dhe Altin Troplini, mbrojnë delinkuenten, fytyrën e vërtetë të drejtësisë sorosiane, Irena Gjoka. Dhe unë për publikun do rikujtoj këtu të gjitha etapat. Me datën 26 tetor 2023, avoketërit e mi, paraqesin kërkesën për dorëheqjen e saj për konflikt interesi meqenëse ishte shkarkuar nga KLD në vitin 1996. Por Irena, kryetarja e Gjykatës më Speciale të Shqipërisë, nuk pranoi dhe u tha avoketërve se a keni dokument ju për këtë gjë. Në nëntor të vitit 2023, KLGJ u jep avoketërve të mi vendimin e KLGJ për shkarkimin e Irena Gjokës. Por dy javë më parë, e njëjta KLGJ, me urdhër politik, u kujtohet kur firmosi me Delinën kjo për t’u grabitur taksapaguesve amerikanë 10 milionë dollarë. E mbani mend besoj, ishte Llagami që firmosi me Delina Ficon. Dhe ishte Sali Berisha që denoncoi atë ditë, pavarësisht se në prani të kujt u firmos marrëveshja, si një akt madhor korruptiv. Po u plaçkisnin taksapaguesve amerikanë 10 milionë dollarë merrte tani Delina e Çuçit tani. Në nëntor, KLGJ u thotë deputetëve se nuk ka vendimmarrje për shkarkimin e saj në vitin 1996. Në dhjetor të vitit 2023, kërkesës së avoketërve të mi për dorëheqje meqë ishte shkarkuar nga KLD në vitin 1996, ajo përgjigjet se nuk pranon të japë dorëheqjen pasi ishte shkarkuar me vendim kolegjial. Tani pranon se është shkarkuar, por thotë se ishte vendim kolegjial. Në mars të vitit 2024, gazeta greke Ta Nea boton shkrimin se Irena Gjoka është dëbuar nga Greqia, por këto Altin Troplini dhe qeveria nuk i morën parasysh, por morën parasysh deklaratat e avoketërve të saj, dy famëzi të botës së vjetër Beqiri-Çupi dhe medieve të PS-së, sipas të cilave, shkrimi i gazetës greke Ta Nea ishte porositur nga Tirana. Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr një deklaratë tani në mbrojtje të Irena Gjokës, të një krimineleje, të një mashtruese, të një ordinere që mbante detyrën në shkelje flagrante të të gjitha ligjeve të shtetit," tha Berisha.
Berisha ka folur edhe mbi deklarimin e faturës së pagesës ndaj strategut të fushatës së tij elektorale, Chris LaCivita.
Ai u shpreh se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, sepse fushatën e ka mbuluar PD.
"Unë nuk them që nuk kam deklaruar. Deputetet po deklarojnë shpenzimet personale, sepse deputetët që kanë bërë fushata, kanë shpenzuar me dhjetëra, mijëra euro. Sali Berisha nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, sepse fushatën e ka mbuluar PD. Çfarë shpenzimesh kam bërë unë është mbuluar nga PD. PD ka një ligj, i cili përcakton aftin ligjor kur PD do deklaroj shpenzimet dhe të garantoj se do të deklaroj çdo qindarkë. Se cila është koha që përcakton ligji, këta nuk ta them. KQZ kam shpërndarë formularë për deputetet të deklarojnë shpenzimet, por jo partitë,' tha Berisha.
Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi.
Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja, Andia Pustina.