Ndarja e Naun Shundit nga jeta, Berisha: Akti i tij i fundit ishte beteja për Teatrin Kombëtar!

29 August 2025, 14:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndarja e Naun Shundit nga jeta, Berisha: Akti i tij i fundit ishte beteja
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një postim në Facebook, përmes të cilit shpreh nderimin e tij dhe ngushëllime të ndjera familjes së artistit të mirënjohur shqiptar, Naun Shundi i cili u nda nga jeta disa ditë më parë.

Berisha shkruan se ndarja e Naun Shundit nga jeta është humbje e rëndë edhe për Teatrin, skenën, artin dhe kulturën dhe të gjithë kombin tonë.

“Akti i tij i fundit ishte beteja për Teatrin Kombëtar, i pamposhtur pas shembjes së të cilit ai ngriti miniteatrin privat Zonja e Bujtinës”, shkruan Berisha ndër të tjera.

Reagimi i Sali Berishës:

Dielli perëndoi përgjithmonë për Naun Shundin!

Të dashur miq, Naun Shundi, aktor dhe dramaturg i shquar dhe një prind, bashkëshort dhe qytetar shembullor iku përgjithmonë në jetën e përjetshme.

Duke shprehur nderimin tim me të thellë dhe ngushëllimet e mia me të ndjera familjes së tij të respektuar, miqve dhe të afërmve të tij për humbjen e pazëvendësueshme, dua të theksoj se ndarja e Naum Shundit nga jeta është humbje e rëndë edhe për Teatrin, skenën, artin dhe kulturën dhe të gjithë kombin tonë.

Naun Shundi do jetojë gjithnjë në veprën e tij. Ai nuk do kujtohet vetëm si aktori i madh i roleve gjithë ngjyra e mjeshtëri, por edhe si artisti që mbrojti me guxim të vërtetat e mëdha që besonte.

Akti i tij i fundit ishte beteja për Teatrin Kombëtar, i pamposhtur pas shembjes së të cilit ai ngriti miniteatrin privat ‘Zonja e Bujtinës’.

I ndritur dhe i paharruar roli i në skenë dhe në jetë i tij! Amin.


Video