Arrestimi i Ilir Metës, avokati Cakrani: Raporti i Avokatit të Popullit do u dërgohet institucioneve ndërkombëtare!

27 August 2025, 13:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestimi i Ilir Metës, avokati Cakrani: Raporti i Avokatit të
Kujtim Cakrani/ Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe avokati i ish-presidentit Meta, Kujtim Cakrani, në një konferencë për media kanë deklaruar se arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë tregon rënien e shtetit të së drejtës, ndërsa kanë akuzuar Policinë e Shtetit si një organizatë kriminale.

Në fjalën e tij Blushi kërkoi rikthimin sa më parë në shinat e ligjshmërisë të procesit ndaj Ilir Metës, teksa thekson se arrestimi ndaj presidentit të PL-së është bërë me urdhër politik të dhënë nga Kryeministri Edi Rama.

Blushi bëri me dije më tej se atij, avokatit Kujtim Cakrani dhe familjes së Presidentit të PL-së, i është ndaluar takimi e komunikimi me Ilir Metën.

“Ndërkohë që ai mbahet në izolim ekstrem, Rama me një mal me prova shkresore penale në kurriz dhe pushtetet ekzekutive në dorë, lihet i lirë për të vijuar vjedhjet, si në rastin e incineratorëve dhe intimidojë prokurorë e gjyqtarë duke i kërcënuar të mos i afrohen celularit të tij.

Gjykata për rastin e z. Meta duhet të argumentonte për çfarë dëshmitarësh bëhet fjalë. Nuk ka asnjë dëshmitar të jetë i PL-së që e fajëson Ilir Metën.

Të gjitha janë manipulime për të zbatuar porosinë publike politike të Ramës që e donte Metën në izolim ekstrem para zgjedhjeve duke përdorur SPAK si vegël.

Në emër të PL-së, kërkojmë rikthimin sa më parë në shinat e ligjshmërisë të procesit që ka ecur në trasenë e shtruar me urdhër politik të Edi Ramës.

Mua më kanë dënuar të mos takohem dhe as të komunikoj me presidentin e PL-së sikundër janë dënuar dhe deputetë të tjerë të PL-së, familjar të z. Meta dhe avokatit të tij”, tha Blushi.

Nga ana e tij, avokati Cakrani ka ngritur alarmin mbi raportin e Avokatit të Popullit që sipas tij, vërteton rënien e shtetit të së drejtës, pasi sikurse bën me dije ai, në raport nënvizohet shkelja e bërë nga Policia e Shtetit në procesin e arrestimit të Ilir Metës.

“Në raportin e Avokatit të Popullit prej 25 faqesh përgjigja që ka kthyer drejtori i policisë ndaj pyetjeve që iu është drejtuar, ka mashtruar Avokatin e Popullit dhe opinionin publik.

Në raport thuhet: Në momentin që policisë së shtetit i është kërkuar ekzekutimi i vendimit, si asnjëherë më parë policia ka mobilizuar forcat e policisë kriminale. Raporti i Avokatit të Popullit do shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, u shpreh avokati.


Video