Berisha ‘mori selinë’, Yuri Kim: Partneriteti SHBA-Shqipëri nuk ka qenë kurrë më i fortë

25 March 2022, 19:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Berisha ‘mori selinë’, Yuri Kim: Partneriteti

Në ditën që Sali Berisha u rikthye në selinë e Partisë Demkratike, ku këtë herë nuk pati nevojë për dash artizanal për të hapur dyert e blinduara, Ambasadorja e SHBA në Tiranë shkruan se ‘partneriteti i SHBA me Shqipërinë është më i fortë se kurrë”.

“Partneriteti mes SHBA dhe Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe më me rëndësi, teksa ne punojmë së bashku në Këshillin e Sigurimit për të adresuar çështje, si agresioni i pajustifikuar dhe paprovokuar rus në Ukrainë”, shkruan Ambasadorja.

Kim me këtë shënim shoqëron një takim të Ambasadores së SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfeld me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

“Një kënaqësi të takohesha sërish në Nju Jork me Olta Xhaçkën. Mirënjohëse Shqipërisë për partneritetin e fortë teksa qëndrojnë të bashkuar përballë luftës shkatërruese të Rusisë në Ukrainë”, shkruan Ambasadorja Thomas.

Ndërkohë, këtë të premte Sali Berisha u rikthye në selinë e PD-së, pak orë pasi gjykata e Tiranës regjistroi statutin dhe vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit. Mbështetësit e Bashës në PD nuk e njohin këtë vendim duke thënë se do ta ankimojnë. Përveç ankimimit, Gazment Bardhi ka dorëzuar në SPAK edhe një kallëzim penal ndaj gjyqtarit Agron Zhukri për shpërdorim detyre.


Video