Berisha apo Alibeaj? Nesër zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit

2 November 2022, 16:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha apo Alibeaj? Nesër zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit
Alibeaj dhe Berisha

"Ai që prek flamurin e PD-së i ka bërë hesapet shumë shumë keq, do e shihni ditët e ardhshme." Ky ishte paralajmërimi i fortë i ish-kryeministrit Sali Berisha mbrëmjen e djeshme pas deklaratës së grupit të Alibeajt se do të hyjnë me kandidatë më vete në zgjedhjet lokale, por dhe një paralajmërim që vinte dhe në prag të seancës gjyqësore për vulën e partisë.

Gjykata e Apelit në Tiranë do të zhvillojë nesër seancën ku do të shqyrtojë ankimimin e PD-së së Alibeajt kundër vendimit të marrë nga gjykata më 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së të 17 korrikut 2021.

Në akimimin e saj, PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj deklaronte se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit. Një ndër vendimet e rëndësishme të Kuvendit të 18 dhjetorit, ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën.

Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës. Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës.

Gjyqtarja Blerina Muça pranoi në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.

Dhënia e vendimit të Gjykatës do të vijë në një kohë kur dy palët e PD-së nuk gjetën gjuhën e përbashkët për të hyrë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 Majit të vitit që vjen. Nuk dihet nëse një vendim në favor të Alibeajt do e përçajë edhe më shumë PD-në.


Video