Kreu demokrat Sali Berisha ka hedhur akuza të forta lidhur me procesin e votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si faqja më e turpshme e farsës elektorale.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai tha se vota e diasporës është manipuluar në mënyrë masive, të paskrupullt dhe të koordinuar nga qeveria dhe Partia Socialiste.
Sipas Berishës, kompania ndërkombëtare DHL, e cila ishte kontraktuar për transportin e zarfeve, ka shkelur kontratën duke përdorur nënkontraktorë të lidhur ngushtë me PS-në, pavarësisht se kontrata ndalonte qartësisht çdo nënkontraktim.
Sipas tij segmenti shqiptar i DHL-së ka vepruar sipas urdhrave të Edi Ramës.
“DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpëunuar ngushtë me PS-në. Ndonëse kontrata parashikonte se asnjë lloj nënkontraktimi nuk mund të bëhej. DHL u pranua nga ne për shkak të reputacionit të saj, por segmenti shqiptar i DHL-së funksionoi krejtësisht sipas urdhrave, porosive të qeverisë dhe të Edi Ramës. Zarfet, votat, nuk u mbushën nga qytetarët e regjistruar, por ato në mijëra, mijëra, mijëra prej tyre u plotësuan nga patronazhistët, të dërguar nga Tirana, nga punonjës apo ish-punonjës të ambasadave dhe solli një manipulim të dalë jashtë kontrolli”, tha Berisha.
Berisha akuzoi gjithashtu Postën Shqiptare për përfshirje direkte në manipulim, duke pretenduar se në magazinat e saj janë ribërë zarfe me vota të falsifikuara nga patronazhistët.
Ai solli shembuj konkretë nga qarqe të ndryshme si Tirana, Lezha, Dibra dhe Fieri, ku numri i zarfeve të numëruara rezulton më i lartë se ai i zarfeve të dërguara nga diaspora.
Në disa raste, PS ka marrë deri në 97 përqind të votave, një rezultat që Berisha e krahasoi me Korenë e Veriut.
“Kjo është një maskaradë zgjedhore që nuk do të njihet kurrë,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se opozita do të ndjekë çdo rrugë për të denoncuar dhe dokumentuar këtë “krim elektoral”.