Bardhi: Rama bllokoi arrestimin e Ballukut për të mbrojtur veten

10 Mars 2026, 11:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazment Bardhi

Deputeti i opozitës Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë politikisht për të penguar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për abuzime me tendera publikë.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se vendimi për të refuzuar kërkesën e SPAK nuk është juridik, por politik.

Sipas tij, provat e prokurorisë janë të shumta dhe përfshijnë mijëra mesazhe ku, sipas opozitës, Balluku ndërhyn në tendera për të favorizuar kompani të caktuara.

“Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat janë të dobëta, por sepse ato të çojnë herët a vonë tek Edi Rama”, deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se kryeministri po sulmon drejtësinë dhe prokurorin e çështjes për të penguar hetimet që, sipas tij, mund të shkojnë deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Të gjithë e pamë se Edi Rama përgojoi këdo dhe bëri pis gjithçka që e çon drejtësinë nga Belinda tek ai vetë, por në 80 minuta fjalim ai nuk përmendi asnjëherë provat reale të Prokurorisë së Posaçme. Janë me mijëra mesazhe të Belinda Ballukut me vartësit e saj ku ajo ndërhyn në tendera në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani, ose për t’ia hequr të drejtën një kompanie tjetër. Në rastin e tunelit të Llogarasë, është krejt e qartë se tenderi u prish që ta fitonte më vonë kompania turke, ajo që Edi Rama dhe Belinda Balluku kishin takuar në Turqi. Është po aq e qartë porosia e dhënë prej Edi Ramës dhe e cituar prej Belinda Ballukut që një tender tjetër ta marrë një biznesmen i caktuar.

Janë këto mesazhe që e mbajnë peng Edi Ramën. Janë këto mesazhe që shpjegojnë edhe frikën e tij sot. Është sistemi korruptiv që ai ka krijuar, i cili e detyron të dalë hapur kundër SPAK-ut. Jo se iu hap barku për Belinda Ballukun. Jam i bindur se do të donte një mijë herë të shpëtonte prej saj.

 Por Edi Rama po refuzon arrestimin e saj dhe po linçon prokurorin, në mënyrë që SPAK-ut të mos i shkojë ndër mend më të kërkojë arrestime të tjera apo, akoma më keq, të mos kërkojë arrestimin e vetë Edi Ramës. Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama.

Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij. Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit”, tha Bardhi.


Video