
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 12 mars para Parlamentit, ku do të zhvillohet seanca plenare për votimin e kërkesës së SPAK për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, duke e cilësuar atë si “ditën e pranverës së demokracisë” dhe të përmbysjes së “narkoregjimit”.
Në foltoren e radhës me demokratët në sheshin para kryeministrisë si çdo të hënë, Berisha u shpreh se qeveria duhet të largohet sa më parë, ndërsa akuzoi kryeministrin për mbrojtje të Belinda Ballukut.
Sipas tij, qytetarët dhe administrata nuk duhet të mbështesin qeverinë, por ta denoncojnë dhe ta sabotojnë atë.
“Sabotojeni këtë regjim, denoncojeni dhe sabotojeni, ta heqim një minutë e më parë, ta hedhim në koshin e plehrave të historisë.”, u shpreh Berisha.
Në fund të deklaratës, lideri i opozitës theksoi se 12 marsi do të jetë një moment i rëndësishëm, duke e cilësuar si “dita e pranverës së demokracisë”, ku opozita do i jap “përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”.
"Duhet ta fshini, as edhe një javë nuk duhet t’ia zgjasim këtij hajduti, që nuk ka asgjë të përbashkët me njeriun me dinjitet, por është një kriminel. Prapë u drejtohem këtyre policëve, punonjësve të administratës, mos e mbështesni, por sabotojeni këtë regjim, denoncojeni dhe sabotojeni, ta heqim një minutë e më parë, ta hedhim në koshin e plehrave të historisë.
E patë se si e mbrojti. Më thoni, cilin nga ju ka mbrojtur ai në 13 vite siç mbron hajduten, vjedhjet e veta, kriminelin e damkosur në Parlament, Taulant Balla, dhe bandën tjetër.
Nuk duhet të ndalemi me këta horra, këta janë kriminelë, janë njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin tuaj, me familjet tuaja, janë antishqiptarë që po zbrazin Shqipërinë, po e shkatërrojnë dhe duhet t’u japim atë përgjigje që meritojnë.
12 marsi është një ditë e madhe. Më 12 mars të gjithë shqiptarët para Parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Ndaj, në orën 10 e gjithë Shqipëria te Parlamenti. Ne t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij", tha Berisha.