Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka folur pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku është folur mbi të ardhmen e partisë.
Bardhi tha se kanë një platformë, e cila synon të forcojë PD. I pyetur nëse Tabaku ka pranuar pozicionin për të drejtuar PD, Bardhi tha se Tabaku është funksionarja më e lartë drejtuese e partisë.
"Mbledhja për vlerësimin e situatës në PD. Është e vetmja trupë brenda PD-së që ka bërë thirrje për bashkim dhe mos përçarje në PD. Nuk paragjykoj asnjë vendim të PD-së. Kjo nuk është çështje as të njëanshme as me kokëfortësi. Duhet të që PD të bëhet forcë alternative qeverisëse për zgjedhjet ardhshme. Unë kam një detyrë dhe përgjegjësi për drejtimin e partisë. Emrat e kryesisë secili prej kolegëve tuaj është njohur me listën e anëtarëve të kryesisë. Alibeaj nuk ka qenë sot. Në mbledhjen e fundit ka qenë i pranishëm. Ka një detyrim statutor, ajo që unë di t’ju them është se funksionari më i lartë drejtues i partisë për momentin është Tabaku." - tha Bardhi.
Gjithashtu ai ka shtuar se grupi parlamentar është ofruar për t’i dhënë një zgjidhje situatës së përçarjes brenda partisë.
“Grupi parlamentar është ofruar për të gjetur zgjedhje. Pastaj gjithsecili bën zgjidhjen e tij në interes të demokratëve apo që nuk i shërbejnë atyre. Ka pasur gjithmonë komunikim midis meje dhe kolegëve të mi. Unë kam pasur dhe ruaj marrëdhënie korrekte profesionale me secilin prej tyre. A diskutojmë me njëri-tjetrin sa herë takohemi se cila është rruga më e mirë për të çuar përpara PD-në, po patjetër”, ka thënë Bardhi.
Ndër të tjera ai ka thënë se shumë shpejt platforma që synon të forcojë Partinë Demokratike do të jetë publike shumë shpejt.
“Detajet do t’i merrni vesh shumë shpejt. Platforma synon vetëm të forcojë PD-në. Detyra jonë është të bëjmë një parti më të fortë, moderne që i përgjigjet interesave të shqiptarëve. Platforma do të jetë publike. Do ta shikoni nëse ka ose jo vija të kuqe. Unë nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo brenda PD-së për t’u parë në sy, për të diskutuar se cila është rruga më e mirë për të çuar përpara PD-në. Selia nuk është një ambient që detyron, që do duhet patjetër të bëhen mbledhjet aty. Në grupin parlamentar ftohen të marrin pjesë secili prej kolegëve. Sot psh për shkak të ishim në seancë plenare, mbledhjen e kemi bërë në zyrat e seancës plenare. Kur partia të jetë gati në përputhje me statutin do të ketë dhe kryetarin e saj. Nëse do të jetë kryetar individual apo kolegjial, statuti e ka që duhet të jetë individual, nëse do të ndryshojmë statutin do të jetë një kryetar tjetër. Mbledhja e kryesisë do të jetë nesër.”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.
QËNDRIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Duke analizuar me përgjegjësi maksimale rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit dhe pasojave që ka sjell ky rezultat për të ardhmen e Shqipërisë dhe interesin publik;
Duke qenë të ndërgjegjshëm për atë që qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e Partisë Demokratike në veçanti presin nga përfaqësuesit e tyre dhe nga Partia Demokratike;
Duke qenë përpara një qeverisje që ka minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes metodave të kundërligjshme, që mund të arrihen të kapërcehen vetëm përmes angazhimit të shumicës së heshtur të shqiptarëve që kanë humbur besimin tek politika;
Duke vijuar në të njëjtën linjë konstruktiviteti, që ka në themel vetëm interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë, siç është vepruar edhe me qëndrimet e Grupit Parlamentar të datave 22 Mars 2023, 16 Prill 2022, 31 Tetor 2022 apo 6 mars 2023;
Duke qëndruar të palëkundur në bindjen se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian, është e vetmja rrugë për forcimin e Partisë Demokratike;
Duke ripërsëritur apelin se lufta e brendshme në Partinë Demokratike dobëson opozitën dhe se situata kërkon që secili të tejkalojë interesin e vet ngushtësisht personal, për të ofruar dhe gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe çdo qytetari të ndershëm që pret dhe kërkon ndryshimin në vend;
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE, SHPREH QËNDRIMIN SI MË POSHTË:
1. Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj për t’u bërë alternativë qeverisëse. Në këtë kuadër, është emergjente ndërprerja e menjëhershme e çdo sulmi, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj çdo anëtari të partisë apo cilido që mendon ndryshe.
2. Riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik.
3. Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:
– Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarësisë aktuale;
– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;
– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.
4. Grupi i Punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe fuqizimin dhe organizimin e partisë pa asnjë paragjykim dhe duke shmangur çdo rrethanë apo faktor ndarës.
5. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk mbështet asnjë proces organizimi të nxituar, të njëanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike. Procesi duhet të synojë vetëm forcimin dhe eliminimin e debateve destruktive brenda partisë. Për këtë qëllim, duhet të tentohet ndihma, mbështetja dhe konsultimi me Partitë Popullore Europiane dhe partitë simotra.