Partia Socialiste do të propozojë e vetme kandidatin për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha për emisionin “Opinion” tha se procesi i negociatave me opozitën dështoi për shkak se pakica nuk dorëzoi zyrtarisht një emër.
“Ne kemi negociuar me të gjithë opozitën e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, me të treja grupet parlamentare të opozitës. Kemi pasur një moment kur kemi pasur një dakordësi që në të dytin dhe të tretin opozita fitoi të drejtën ekskluzive për të propozuar emrin. Në rast se opozita do të kishte ushtruar përgjegjësinë për të sjellë me 20 firma mbështetëse një kandidat të tyre, ne do ta merrnim në konsideratë dhe atë që do bëjmë nesër në Kryesinë e PS do ta bënim në rastin e kandidaturës së ardhur prej tyre. Debati ka qenë që opozita të ketë të drejtën e propozimit. Kjo nuk është negociatë. Negociatë quhet kur palët kanë të drejtë të negociojnë. Mund të propozonin një emër me 20 firma. Mua si kryetar i grupit të PS apo në Kuvendin e Shqipërisë unë nuk di që të jetë depozituar zyrtarisht një listë me emra”.
Balla theksoi se PS ka zhvilluar disa mbledhje për emrin e Presidentit të ri, ndërsa tha se selia rozë ka tashmë një listë të shkurtër emrash që të premten do të votohet një prej tyre dhe të shtunën do të votohet edhe në mbledhjen e grupit të PS, kur dhe kjo kandidaturë do të bëhet publike.
“Ne kemi bërë një proces ku prej më shumë se 2 muajsh kemi bërë proces konsultimi brenda vetes. Ka pasur diskutime brenda PS në një rreth më të vogël. Kemi bërë për këtë çështje dy herë diskutime në Kryesinë e PS. Edhe në Kryesinë e PS është bërë një propozim me emra dhe nga ai proces ka dalë një short listë dhe nesër është dita finale. Ka disa emra. Kjo është një çështje shumë serioze”.
Balla ripërsëriti se kandidatura do të jetë e kundërta e Presidentit aktual Ilir Meta. Ai u shpreh i bindur se për figurën që socialistët do të propozojnë, edhe nga opozita do të kenë arsye për ta votuar.