Shqipëria me shumë mundësi ditën e shtunë do të ketë një President të ri të Republikës.
Kuvendi ka njoftuar mbajtjen e seancës së radhës që do të jetë edhe raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në njoftimin e publikuar për mediat mbrëmjen e së enjtes, bëhet e ditur se seanca do të mbahet ditën e shtunë në orën 18:00.
“Ju njoftoj se ditën e shtunë, datë 4 qershor, ora 18:00, do të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë për zhvillimin e votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës (Urdhër nr.49, datë 02.06.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla”.
Ndërkohë, të premten në orën 17.00, Partia Socialiste do të mbledhë kryesinë e partisë për të dalë me një listë të shkurtër për kandidatin për president të Republikës.
Kryesia do të vendosë do të vendosë për njërin nga emrat dhe kandidati që do të marrë konsensus do t’i paraqitet formalisht grupit parlamentar të partisë.
Të shtunën në mëngjes do të mblidhet komisioni i Ligjeve për të certifikuar kushtetuteshmërinë e kandidatit e më pas, do të mblidhet seanca plenare.