“Asnjë vendim i saj nuk ka vlerë”, Berisha: KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tri vepra penale, duhej dënuar me burg

18 August 2025, 13:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Asnjë vendim i saj nuk ka vlerë”, Berisha: KLGJ e
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar, po funksionon në realitet si aleat i tij.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi drejtues të lartë të SPAK-ut, përfshirë kreun e saj Altin Dumani, të cilin ai e ironizoi me emrin “Altin Troplini” për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës që operojnë brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Por Berisha nuk i kurseu akuzat edhe ndaj kryeministrit Rama lidhur me sulmet e tij verore ndaj një prokuroreje dhe një gjykatësi, sulme për të cilat, sipas tij, dy institucionet më të larta të drejtësisë në vend, KLGJ dhe KLP, nuk thanë asnjë fjalë të vetme.

Dhe nisur nga kjo "heshtje varri", siç e cilësoi Berisha, shefi i opozitës shigjetën e akuzave e drejtoi nga drejtuesit e institucioneve, veçanërisht ndaj Naureida Llagamit.

Berisha akuzoi se “KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tre vepra penale, e cila e ka vendin, ku është një shkelëse ordinere ligji, e cila është e dënueshme për mashtrimin që ka bërë në formularin e deklarimit të pasurive, ka mashtruar në veting për pasuritë e saj”.

“Së dyti, ju e patë, Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës.

Dhe pas prokurores Gjeli që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjykatësi tjetër, në mos gabohem, Balliu mbiemër, për fajin e vetëm që ky gjykatës me karakter për ligjin, kishte zbatuar pikë për pikë vendimin e qeverisë.

Ky gjykatës, në përputhje me vendimin, i cili i njihte shkelësit e ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Edi Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë, sepse Edi Rama pavarësisht nga pafytyrësia e tij, kërkonte që gjykatësi të mbajë dy standarde, njëherë ta zbatojë dhe njëherë të mos e zbatojë.

Tani ky, i vërsulet gjykatësit, një djalë i ri ai, me fjalët e një ordineri, jo të një kryeministri, jo i pacipë, jo këto e ato.

A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin.

Asnjë fjalë, heshtje varri. Ndërkohë që kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës apo Troplinit.

Ndërkohë KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tre vepra penale, e cila e ka vendin, ku është një shkelëse ordinere ligji, e cila është e dënueshme për mashtrimin që ka bërë në formularin e deklarimit të pasurive, ka mashtruar në veting për pasuritë e saj.

A mund të imagjinoni ju si e justifikuar Irena me 5 mbiemra pasurinë? Në përputhje me nenin 830 të kodit civil, mora këtë hua nga ish-bashkëshortja e burrit tim. Mirëpo neni 830 është nen i vitit 2015. Huaja është marrë në vitin 1996.

Pra, para këtij mashtrimi trashanik, KLGJ në vend se të marrë vendimin menjëherë, nuk merr asnjë vendim, dhe e dënuar me burg, de facto ajo nuk është gjykatëse. De facto ajo është gjykatëse ekstraligjore. De facto dhe de jure asnjë vendim i saj nuk ka vlerë. Ajo vazhdon dhe ka hapur çështje penale.

Ky Troplini që u dekorua sot nga Elvis Doçi ka hapur çështje penale pa emër për ta mbrojtur atë. Po çfarë mungon aty kur dokumentet qartësojnë se ajo i është referuar nenit 830 të kodit civil të vitit 2015 për një kontratë të vitit 1996? Për të gjithë botën, përveç Altin Troplinit, ky është mashtrim.

Çfarë ka kur gjykata e Janinës, me vule apostile pohon se është e dënuar më 3 muaj burg, me emër dhe mbiemër Irena me 3 mbiemra dhe Altin Troplini thotë më duhen dokumente. Vula apostile për çdo njeri, përveçse për Altin Troplinin, është një dokument ligjor, zyrtar. Por do ta mbrojë me çdo kusht afërmendshi.

Do ta mbrojë se janë bashkëpunëtorë në krim. Ky është një akt i turpshëm, kjo është fytyra e vërtetë e këtij sistemi.

Ajo është procedurë, besoj se e ke të qartë. E thashë këtu edhe para dy javësh që ajo nuk ka të bëjë me individët. Jo, nuk ka asnjë çështje me individët.

Aty është çështje parimi. Sepse një njeri, Edi Rama, që ta dini ju, pas largimit të PD nga parlamenti, ka vendosur në ligje një nen antikushtetues.

Nen që i lejon, autorizon, kreun e Skapit të regjistrojë telefonat e gjykatësve që ky dërgon dosjet. De facto ata tre gjykatës, dhe jo vetëm ata, por të gjithë gjykatësit e gjykatës speciale në të dy nivelet, janë në kontrollin e plotë të Altin Troplinit.

Kjo është e gjithë puna dhe kjo nuk ndodh në botë. Përpjekja ime është për rivendosjen e atyre standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Natyrisht ai vendim për shkak të kërkesave të ligjit ndërkombëtar do ndjekë rrugën e vet. Dhe pastaj do të apelohet atje. Por nuk mund të pranohet kurrë se një gjë e tillë nuk mund të pranohet.

Nuk mund të pranohet që prokurori të regjistrojë telefonin e gjykatësit që i çon dosjen. Nuk ekziston një parim i tillë. Prandaj thotë afërmendshi ashtu. Le se i kemi të zgjidhura problemet”, tha Berisha.


Video