Alqi Bllako dorëzon mandatin e deputetit: I bindur në pafajësinë time

29 March 2022, 21:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Alqi Bllako dorëzon mandatin e deputetit: I bindur në

Deputeti Alqi Bllako deklaroi se do të dorëzojë të mërkurën në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke e bërë të pavlefshme nisjen e procedurave nga Kuvendi për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e tij.

“Nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë. Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik”, deklaron ai.

“Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!”, vijon më tej deputeti.

Ai thotë se ka vendosur që të përballet me akuzën e ngritur kundër tij pa asnjë privilegj.

“Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!”, deklaron Bllako.

“Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!”, mbyll ai reagimin e parë pas kërkesës që SPAK i ka drejtuar Kuvendit për arrestimin e tij në lidhje me çështjen e inceneratorëve.


Video