Kuvendi i është drejtuar zyrtarisht KQZ për të zëvendësuar emrin e deputetit Alqi Bllako, në radhët e deputetëve socialistë. Ky i fundit dorëzoi dje mandatin për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Nënkryetarja Ermonela Felaj ka bërë me dije në nisje të seancës së kësaj të enjteje, 31 mars, se Kuvendi është njohur me aktin e dorëheqjes dhe ka njoftuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të bëjë verifikimet përkatëse, e më pas të tregojë se cili deputet e merr mandatin.
“Ju njoftoj që deputeti Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend deklaratën me të cilën vë në dijeni Kuvendin që me vullent të plotë dorëzon mandatin. Kur deputeti heq dorë referuar nenit 71 të Kushtetutës mandati i tij mbaron.Kuvendi shpall vakancën e ia njofton vakancën KQZ për plotësimin e saj”, tha nënkryetarja e Kuvendit.
Menjëherë sapo KQZ të shprehet, do të bëhet betimi i deputetit në Kuvend dhe ai nis zyrtarisht detyrën. Deputeti që zë vendin e Alqi Bllakos është Pandeli Majko. Ky i fundit renditej i 19-ti në listën e Tiranës, por PS arriti të nxirrte vetëm 18-të emra.