Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa po shijon disa ditë pushimi në Shqipëri, në pritje të festivalit "Sunny Hill" në Tiranë, pas përfundimit të atij në Prishtinë.
Ajo ndodhet prej disa ditësh në bregdetin e jugut, ku nuk ka nguruar të postojë foto në rrjetet sociale, duke reklamuar Shqipërinë tek rreth 68 milionë ndjekësit e saj në Instagram.
Së fundmi, ajo ka publikuar disa foto ku shfaqet me një fustan të zi, me pamje nga deti, teksa krahas fotove shkruan: “Vajza shqiptare në Shqipëri”,
Dua Lipa pritet të interpretojë tek festivali “Sunny Hill”, që do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 Gusht në Tiranë.
Në mesin e artistëve që janë konfirmuar deri më tani, janë dy artistët e famshëm italianë Fedez dhe Tananai. Do të këndojë gjithashtu reperi me origjinë shqiptare, Action Bronson si dhe britaniku Stormzy. Nga artistët shqiptarë është konfirmuar Dafina Zeqiri, Elgit Doda, Dren Abazi dhe Dj Regard.