Diku rreth shekullit të 12-të, Saxo Grammaticus ndërmori të shkruajë historinë e Danimarkës, kronikë e mitologjisë, historisë dhe pushtimeve të saj. Vepra e tij do të frymëzonte shumë artistë dhe përshtatje.
Një prej rrëfenjave më rrëqethëse ishte ajo e Amlethit, nipit të një mbreti. Babai i tij u vra nga i vëllai dhe u martua me nënën e Amleth-it. Amleth u shtir si i çmendur për t'i shpëtuar shpatës së xhaxhait të tij, dhe, në fund, u hakmorr.
Ky është edhe subjekti i tragjedisë shekspiriane të princit danez, njohur rëndom si Hamleti dhe huazuar nga Saxo. Sidoqoftë, historianët besojnë se rrëfimi i Saxo Grammaticus për Amleth ishte po ashtu një përshtatje, e bazuar në epika të lashta islandeze.
Ndërsa tani, në një kohë kur legjendat mesjetare duket se po ndezin gjithnjë e më shumë imagjinatën e kineastëve rrëfenja vjen si The Northman, një epikë vikinge, nga regjisori Robert Eggers.
Roli kryesor i The Northman i është besuar Alexander Skarsgård. Kasta e aktorëve përfshinë edhe Ethan Hawke, Nicole Kidman, Anya Taylor-Joy, Claes Bang, Willem Dafoe dhe Björk.
Eggers, i cili rishkroi skenarin me poetin islandez Sjón, gjatë xhirimeve mori edhe ndihmën e specialistëve të historisë islandeze dhe vikinge. Riprodhimi i filmit me kujdes të madh ndaj arkeologjisë dhe simbolikës së lashtë e bën The Northman një prej prodhimeve më besnikë ndaj historisë së Vikingëve që është realizuar ndonjëherë.
Por përtej besnikërisë ndaj epokës në fjalë, The Northman është një përshtatje e rrëfenjës së Saxo-s. Ai është princi trashëgimtar, i cili sheh xhaxhain tek i vret babanë dhe merr nënën e tij. Ai arratiset dhe një këshilltar i thotë mbretit të ri se Amleth është mbytur. Amleth zotohet të hakmerret për babanë, të shpëtojë nënën dhe të vrasë xhaxhain. Amleth rritet si një viking që plaçkit dhe duke u shtirë si skllav i afrohet xhaxhait të tij.
Pra, në The Northman ka shtirje, por jo çmenduri.
The Northman, i vendosur në një botë ku ëndrrat, forcat e mbinatyrshme dhe magjia janë po aq reale sa balta dhe gjaku, tregon besimin e thellë të vikingëve në pashmangshmërinë e fatit.

Thelbi dihet: një rrëfenje mbi tradhtinë, trimërinë dhe ligësinë, por pa ndyshime moderne.
Amleth nuk është një njeri modern në botën e vikingëve si Braveheart; ai nuk mendon apo vepron si ne. Zgjedhjet e tij nuk kanë fort kuptim për ne. Amleth nuk do famë, lavdi apo të përmbushë ndonjë detyrë patriotike, si shumë filma me heroizëm të Hollivudit. Për të nuk ka kuptim mbrojtja e nderit të vet.
Ai thjesht do të rimarrë çfarë i përket. Përpjekja e tij për t'u hakmarrë është e ndërtuar mbi themele të lëkundshme. Dhe në fund, gjithçka duket pak e kotë.
Ai është thjesht në rrugën e përcaktuar për të nga fati. Midis filmave të fundit mbi epokën mesjetare, kjo e bën, The Northman shumë më afër botëkuptimit të kohës së vet.
Mbi të gjitha The Northman nuk mundohet të dënojë maskilitetin toksik duke treguar se kjo ka shkatërruar burrat për shekuj me rrallë apo të tregojë se liria e kufizuar e grave i ka lënë ato të prapambetura.
Ky nuk ishte qëllimi i Saxo Grammaticus dhe Eggers e ka rikrijuar me saktësi të frikshme Mesjetën, duke na vënë përballë një miti të çuditshëm, përballë diçkaje që e kemi ditur gjithmonë, por e kemi harruar.
Sot ne mendojmë se kemi liri veprimi, se ne jemi “kapitenë të anijeve tona”. Por mijëra vjet më parë, botëkuptimi ishte tjetërsoj. Ata mund të kenë ditur diçka që ne nuk e dimë./Alissa Wilkinson - VOX.com