
Zlatan Ibrahimovic, rrugës për të mbushur 41 vjeç, ka qenë një nga arkitektët e mëdhenj të titullit të Milanit. Brenda dhe jashtë fushës. Paralelisht, Ibra ka përjetuar një kalvar të vërtetë. Sulmuesi suedez është detyruar t’iu nënshtrohet qetësuesve të shumtë në gjashtë muajt e fundit për të luajtur.
"Për 6 muajt e fundit kam luajtur pa një ligament të kryqëzuar të përparmë në gjurin tim të majtë. Gjuri im ishte i fryrë për 6 muaj. Kam mundur të stërvitem me ekipin vetëm 10 herë në 6 muajt e fundit. Kam bërë më shumë se 20 injeksione në 6 muaj.
E kam zbrazur gjurin një herë në javë për 6 muaj. Analgjezik çdo ditë për 6 muaj. Mezi kam fjetur 6 muaj nga dhimbjet. Nuk kisha vuajtur kurrë kaq shumë në fushë dhe jashtë saj", zbuloi ditët e fundit suedezi.
Ish-lojtari i Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, PSG dhe Manchester United, ndër të tjera, nuk do të dilte ‘bllof’. Për më tepër, Ibrahimovic ka postuar në Twitter se si e ka ‘zbrazur’ gjurin e tij çdo javë për të lehtësuar inflamacionin.
Ibrahimovic e nisi sezonin me probleme në tendinën e Akilit.
Megjithatë, ai shënoi 8 gola dhe dha dy asiste në 10 ndeshjet e para të Serie A, që luajti. Më pas filluan problemet me gjurin dhe pjesëmarrja e tij në fushë u reduktua dukshëm.
Për më tepër, Ibra e mbylli sezonin me 27 ndeshje të luajtura, por vetëm 1167 minuta lojë. Të paktën ai mundi të merrte pjesë në festën e titullit të Milanit.