Për herë të parë janë publikuar imazhet e rrënojave të nëndetëses private Titan në fund të Oqeanit të Atlantikut të Veriut. Kjo nëndetëse turistike shpërtheu vitin e kaluar në fund të oqeanit gjatë ekspeditës për të parë rrënojat e anijes legjendare Titanic.
Pamjet u ekspozuan për herë të parë gjatë një seance dëgjimore nga Bordi Detar Amerikan që hetoi shkaqet e tragjedisë.
Pesë persona humbën jetën në këtë tragjedi. Ata ishin thelemuesi i nëndetëses turistike, Stockton Rush, biznesmeni Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar, Hamish Harding dhe zhytësi francez Paul-Henri Nargeolet.
Nëndetësja Titan shpërtheu si pasojë e trysnisë së madhe në fund të oqeanit. Në këtë foto të publikuar nga autoritetet amerikane shihet një mbetje e pjesës fundore të nëndetëses private. Ajo u gjet pas kërkimeve nga Roja Bregdetare amerikane në fund të oqeanit qindra metra larg vendndodhjes së Titanikut.
Qëllimi kryesor i seancës dëgjimore është të zbulojë shkaqet që çuan në shpërthimin katastrofik.