
Lagështira në atmosferën e Marsit është e rëndësishme për misionet njerëzore të programuara në planetin e kuq.
Ajo mund të shfrytëzohet si një alternativë për burim uji në situata emergjente ose në zona ku nuk është i mundur aksesi te akujt nëntokësorë.
Sipas një studimi të fundit të realizuar në Britani, aksesi ndaj ujit, jo vetëm për të pirë, por edhe për prodhimin e oksigjenit dhe karburantit, do të lehtësonte ndjeshëm jetën e astronautëve.

Ky studim është ndër të parët që mund të parashikojë teknologjitë që mund të përdoren për rikuperimin e ujit në mjedisin marsian dhe propozon ide për prodhimin e mjeteve të përshtatshme për mbledhjen e lagështisë në kushte ekstreme.
Sipas analizave të realizuara deri më tani, akulli nëntokësor është burimi më i sigurtë dhe afatgjatë në Mars, ndërsa lagështira dhe avujt atmosferikë mund të jenë furnizues plotësues të burimeve.

Studimi, i publikuar në revistën Advances in Space Research, qartëson zhvillimin e teknologjive në mënyrë që ato të jenë autosuficiente dhe të garantojnë siguri dhe kushte të përshtatshme për jetesë gjatë misioneve të ardhshme të eksplorimit hapësinor.