Disa libra nuk largohen kurrë nga bisedat - dhe sipas lexuesve të Goodreads, një roman klasik qëndron mbi të tjerët.
Në listën e platformës së romaneve më të mëdha letrare të të gjitha kohërave, "Krenari dhe Paragjykim" nga Jane Austen zë vendin e parë, duke u renditur përpara romaneve të tjera të rëndësishme si "1984" i George Orwell dhe "Getsbi i madh" i F. Scott Fitzgerald.
"Krenari dhe paragjykim” e Jane Austen është shkruar në vitin 1813 dhe, megjithatë, vazhdon të lexohet sikur është publikuar dje.
Në qendër të saj është Elizabeth Bennet, një nga personazhet më të dashura në letërsi, inteligjente, ironike dhe e pavarur, që përpiqet të gjejë vendin e saj mes pritshmërive sociale, familjes dhe një marrëdhënieje jo fort të thjeshtë me z.Darcy. Ajo ia njeh vlerën vetes dhe nuk pranon të jetë viktimë e kompromiseve. Dy personazhe që përballen me veten, me paragjykimet dhe me mënyrën si shohin njëri-tjetrin.
Sigurisht, kjo renditje reflekton votat dhe preferencat e përdoruesve të Goodreads dhe nuk përjashton kurrsesi faktin që letërsia ka shumë kryevepra të tjera që për shumëkënd mund të jenë po aq, ose edhe më të rëndësishme.
Goodreads është një nga platformat më të mëdha në botë për libra, ku miliona lexues japin vlerësime, komente dhe krijojnë lista të bazuara në preferencat e tyre.
Librat e tjerë në listë vijojnë kështu:
2- "1984" - George Orwell
3- "Getsbi i madh" - F. Scott Fitzgerald
4- "Xhejn Er" - Charlotte Brontë
5- "Krim dhe ndëshkim" - Fyodor Dostoevsky
6- "Lolita" - Vladimir Nabokov
7- "Lartësitë e stuhishme" - Emily Brontë
8- "Njerëz dhe minj" - John Steinbeck
9- "Konti i Monte Kristos" - Alexandre Dumas
10- "Aventurat e Hakelbëri Finit" - Mark Twain
Listën e plotë e gjeni këtu.