Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar me titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës”, këngëtaren me famë ndërkombëtare Dua Lipa.
Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Presidencës, Osmani vlerësoi kontributin e Dua Lipës për të ngritur imazhin e Kosovës në arenën botërore.

Osmani e ka pritur Duan në Presidencë bashkë me bashkëshortin dhe dy vajzat binjake.
“Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”, shkruan Osmani në Facebook.
Dua Lipa ndodhet aktualisht në Prishtinë për të marrë pjesë në Festivalin Sunny Hill.

Festivali Sunny Hill, nisi të enjten dhe do të zgjasë deri më 7 gusht. Sipas organizatorëve, festivali do të ndiqet nga mbi 25 mijë persona çdo ditë. Çmimet e biletave janë nga 70 deri në 350 euro.
Edicioni i parë i Festivalit Sunny Hill është mbajtur më 2018. Në Kosovë këtë verë po zhvillohen edhe ngjarje tjera të rëndësishme kulturore.

Përveç Fesitvalit Sunny Hill, nga 22 korriku deri më 30 tetor, Prishtina është mikpritëse edhe e Bienales Evropiane Nomade – Manifesta.
Ndërkaq, më 5 gusht, në Prizren nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest.