Ndeshja finale e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet në Tiranë më 25 Maj mes Romës dhe Feyenoord ka çmendur çmimet e hoteleve në kryeqytetin shqiptar.
Shoqata e Hoteleve denoncoi abuzimin që po bëjnë me çmimet një pjesë e strukturave akomoduese.
Kreu kësaj Shoqate, Zak Topuzi thotë se kjo është lojë e turpshme e këtyre hoteleve që dëmtojnë rëndë imazhin e turizmit në Tiranë.
Në një postim në Facebook ai publikon një hotel që e ka çuar çmimin mbi 8 mijë e 300 euro nata.
Duke parë në Booking hotelin që kishte ngritur në stratosferë çmimin pamë se ai ishte në pronësi të një emri jo pak të njohur.
Pronari i hotelit është Luan Mata, i cili tashmë ia ka lënë në administrim bashkëpunëtorëve të tij.
Luan Mata është një biznesmen prej vitesh në Tiranë, por njohja e tij publike ka ardhur për shkak të të birit, i cili është Ervin Mata, që ndryshe njihet si i fejuari i këngëtares Elvana Gjata.
Ervin Mata i njohur me nofkën “Boli” është përmendur disa herë në media, kur ngjarja më e zhurmshme ka qenë përplasja me armë në ish-Bllok mes tij dhe Ervis Martinajt.
Hoteli që në netë të zakonshme shkon 60 deri në 70 euro, për ndeshjen finale ka shkuar 8316 euro.
Kjo është një shifër sa e tej fryrë aq edhe e pajustifikuar. Për ndoshta pronarët i vendosin çmimet duke u nisur nga standardi i tyre i jetesës.
Kjo rritje çmimesh ka krijuar një zhurmë të madhe edhe në mediat e huaja.
Mediat italiane kanë shkruar për çmimet e biletave të hoteleve në Tiranë, duke bërë një krahasim me dhjetë ditë më parë.
“Në orët e fundit ka dhjetëra persona që u janë anuluar rezervimet në hotel pa ndonjë arsye të vlefshme dhe kur vjen puna për të zënë sërish një dhomë, ofrohet e njëjta me çmim 1000 euro më të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për disa fluturime të anuluara nga linjat ajrore me një email të thjeshtë, drejtuar udhëtarëve dhe të rikthyera në shitje me një kod tjetër dhe çmime më të larta.”
Ekspertja e ekonomisë, Elisabeta Katiaj, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar sipërmarrësit e hotelerisë në vend se do të gjobiten.
Paralajmërimi vjen pas konstatimit të rritjes së çmimeve në mënyrë artificiale nga ana e tyre në datat 22-27 maj, periudhë kur në Tiranë do të organizohet finalja e Conference Leauge.