
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se Rusia po bën gjithçka për të penguar bisedimet e planifikuara më 2 qershor në Stamboll, duke synuar që ato të mos sjellin asnjë rezultat.
“Për një takim me kuptim, axhenda duhet të jetë e qartë dhe negociatat të jenë të përgatitura mirë. Fatkeqësisht, Rusia po vepron në mënyrë që takimi i ardhshëm i mundshëm të mos ketë ndonjë rezultat,” tha Zelenski në rrjetin social X.
Ukraina kërkon nga Moska që të paraqesë memorandumet e saj të paqes para nisjes së bisedimeve.
Në të njëjtën ditë, senatorët amerikanë Richard Blumenthal dhe Lindsey Graham u takuan me Zelenskin në Ukrainë. Të dy po promovojnë një projektligj dy-partiak për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, i cili ka mbështetje të gjerë në Senatin amerikan.
Kjo thirrje për një reagim më të fortë ndaj agresionit rus vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Trump kanë shprehur pakënaqësi për veprimet e Rusisë, por deri tani nuk janë marrë masa ndëshkuese.