Një studim suedez ka zbuluar një paradoks për njerëzit e diagnostikuar me një frikë të lartë nga sëmundje të rënda: ata priren të vdesin më herët se njerëzit që nuk janë hipervigjilentë për shqetësimet shëndetësore.
Hipokondriaza, e quajtur edhe çrregullim ankthi i sëmundjes, është një gjendje e rrallë me simptoma që shkojnë përtej shqetësimeve normale shëndetësore. Njerëzit me këtë çrregullim nuk janë në gjendje të heqin frikën e tyre pavarësisht ekzaminimeve normale fizike dhe testeve laboratorike. Disa mund të ndryshojnë mjekë në mënyrë të përsëritur. Të tjerët mund të shmangin kujdesin mjekësor por sërish te ta ekziston frika nga sëmundjet e rënda.
“Shumë prej nesh janë hipokondriakë të butë. Por ka edhe njerëz në ekstremin tjetër të spektrit që jetojnë në një gjendje të vazhdueshme shqetësimi, vuajtjeje dhe përsiatjeje nga frika se mund të kenë një sëmundje të rëndë” tha Dr. Jonathan E. Alpert nga Qendra Mjekësore Montefiore në Nju Jork.
Njerëzit me këtë çrregullim po vuajnë dhe “është e rëndësishme ta marrësh seriozisht dhe ta trajtosh atë”, tha Alpert. Trajtimi mund të përfshijë terapi konjitive të sjelljes, teknika relaksimi, edukim dhe ndonjëherë mjekim kundër depresionit.
Studiuesit zbuluan se njerëzit me këtë diagnozë kanë një rrezik në rritje të vdekjes nga shkaqe natyrore dhe të panatyrshme, veçanërisht nga vetëvrasja. Stresi kronik dhe ndikimi i tij në trup mund të shpjegojnë disa nga ndryshimet, shkruan autorët.
Studimi, i botuar të mërkurën në JAMA Psychiatry, trajtoi “një boshllëk të qartë në literaturë”, tha David Mataix-Cols nga Instituti Karolinska në Suedi, i cili drejtoi kërkimin. “Ne patëm fat”, tha ai, sepse sistemi suedez i klasifikimit për statistikat shëndetësore ka një kod të veçantë për hipokondriazën, duke lejuar analizën e të dhënave për mijëra njerëz mbi 24 vjet, 1997-2020.
Hulumtimet më të vjetra kishin sugjeruar se rreziku i vetëvrasjes mund të ishte më i ulët për njerëzit me këtë gjendje, por “mendimi ynë, bazuar në përvojën klinike, ishte se kjo do të ishte e pasaktë”, tha Mataix-Cols. Në studim, rreziku i vdekjes nga vetëvrasja ishte katër herë më i lartë për njerëzit me diagnozë.
Ata studiuan 4,100 njerëz të diagnostikuar me hipokondriazë dhe i krahasuan me 41,000 njerëz të ngjashëm në moshë, gjini dhe qarkun e banimit. Ata përdorën një matje të quajtur vite personash, e cila llogarit numrin e njerëzve dhe sa kohë u gjurmuan.
Normat e përgjithshme të vdekjeve ishin më të larta te njerëzit me hipokondriazë, 8.5 kundrejt 5.5 për 1000 persona vjet. Njerëzit me këtë gjendje vdiqën më të rinj se të tjerët, një moshë mesatare 70 kundrejt 75. Rreziku i tyre për vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe të frymëmarrjes ishte më i lartë. Kanceri ishte një përjashtim; rreziku i vdekjes ishte pothuajse i njëjtë.