Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Kjo ka shkaktuar përplasje në Uashington midis skifterëve republikanë që kërkojnë sulme të menjëhershme ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe përkrahësve të politikës “America First”, të cilët duan të shmangin çdo përfshirje të re ushtarake jashtë vendit.
Në qendër të debatit është mundësia për të goditur impiantin bërthamor në Fordow, një objekt që Izraeli nuk mund ta godasë drejtpërdrejt.
Një sulm i tillë do të kërkonte përdorimin e bombave të rënda amerikane GBU-57 dhe avionëve bombardues B-2, të cilët nuk ndodhen aktualisht në rajon.
Sipas mediave amerikane, SHBA ka nisur lëvizjen e avionëve cisternë dhe ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme, si pjesë e përgatitjeve të mundshme për një operacion ushtarak.
Trump ka shkruar në rrjete sociale se një marrëveshje me Iranin “mund të arrihet lehtë”, por ai ka përsëritur edhe paralajmërimin e tij: “Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore”.
Ai madje ka bërë thirrje për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Teheran.
Zyrtarët amerikanë thonë se këto lëvizje janë për qëllime mbrojtëse, por analistët thonë se Trump po lë të hapur mundësinë për një goditje ushtarake ndaj Iranit.
Ndërkohë, mes aleatëve të Trump-it ka përçarje.
JD Vance dhe Tucker Carlson, janë kundër përfshirjes në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme.
Carlson e ka kritikuar hapur idenë për një sulm ndaj Iranit.
Trump iu kundërpërgjigj Carlson-it duke thënë se “Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”.
Edhe brenda Pentagonit ka ndasi mes atyre që kërkojnë përqendrim ndaj Kinës dhe atyre që mbështesin një qasje më të ashpër ndaj Iranit.
Tensionet janë në rritje, dhe me Trump që kthehet në Uashington për një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mundësia për një përplasje të drejtpërdrejtë SHBA-Iran është më e lartë se kurrë gjatë kësaj krize.