Shkronja “Z” kudo në Mitrovicën e Veriut, ja kuptimi i "tmerrshëm" pas këtij simboli

7 April 2022, 10:21Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkronja “Z” kudo në Mitrovicën e Veriut, ja kuptimi i
Dragani nga Mitrovica e Veriut, një komunë me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës

Dragani nga Mitrovica e Veriut, një komunë me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës, thotë se nuk guxon të shprehë publikisht mendimin e tij për përdorimin dhe promovimin e simbolit ‘Z’ në qytetin e tij.  Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre.

Në Mitrovicën e Veriut në mbrëmjen e 3 prillit, një grup qytetarësh festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, duke vendosur simbolin ‘Z’ në makinat e tyre, e duke valëvitur flamuj partiak dhe atë rus. Edhe në javët e kaluara, simboli ‘Z’ ishte parë i vizatuar në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut.

Jovani, banor i Mitrovicës së Veriut, beson se simboli ‘Z’ vizatohet pa vetëdije nga të rinjtë dhe sipas tij, askush nuk i përkrah veprimet e tilla. “Të rinjtë po i bëjnë këto. Ata nuk janë të vetëdijshëm për simbolet dhe ngjarjet e luftës dhe tmerret që aktualisht po ndodhin në Ukrainë”, thotë Jovani.

‘Z’, si simbol i pushtimit

Eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati, thotë se për të është shumë e çuditshme që dikush në shekullin 21 të mbështetë “një ushtri që nuk kursen as fëmijë e as gra”.

Fotografitë e civilëve të vrarë në Buça të Ukrainës, qytet afër Kievit – të cilin forcat ruse e pushtuan në fillim të marsit dhe u tërhoqën që aty më 1 prill janë publikuar ditëve të fundit, duke shkaktuar dënim ndërkombëtar, përfshirë edhe akuza për gjenocid dhe krime lufte.

Kastrati thotë se nuk çuditet që simboli ‘Z’ është shfaqur në veri të Kosovës, sepse sipas tij, popullata serbe që jeton atje, drejtohet nga Beogradi zyrtar, i cili “ulet në dy karrige”, një term që përdoret për të përshkruar balancën e politikës që Qeveria në Serbi ka insistuar që ta mbajë në dekadën e fundit.

Ai kujton se institucionet e Kosovës kanë deklaruar publikisht qëndrimin e tyre kundër agresionit rus në Ukrainë dhe beson se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të respektojnë një vendim të tillë, pavarësisht se Beogradi ka raporte të mira me Moskën.

Ai thotë se ‘Z’ është simbol i ushtrisë ruse që “pushtoi një vend të pavarur” dhe si i tillë nuk duhet të promovohet.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, udhëheqja e Kosovës ka paralajmëruar se Serbia mund të tentojë të destabilizojë Kosovën dhe për këtë arsye po kërkon që urgjentisht të anëtarësohet në NATO. Në fillim të marsit, Qeveria e Kosovës vendosi që të themelonte një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-atlantike.

Mirëpo, Kastrati beson se nuk do të ketë destabilizim të vendit dhe se institucionet e sigurisë së Kosovës mund t’i kundërvihen çdo veprimi në këtë drejtim.

“Kosova është e sigurt nga brenda, ka Policinë, KFOR-in [misionin ushtarak të NATO-s], EULEX-in [misionin e BE-së për Sundim të Ligjit]. Por, për mua nuk është e habitshme që banorët në veri [që po e përdorin simbolin ‘Z’], sepse në njëfarë mënyre ata janë të stimuluar nga Beogradi. Beogradi e mbështet Rusinë dhe mendoj se serbët në Kosovë dhe Kosova në përgjithësi e ka vendin në Evropë dhe jo në Lindje”, thotë ai.

Ai thekson se Kosova publikisht doli me qëndrimin për të dënuar pushtimin ushtarak të Ukrainës dhe për këtë temë ajo është rreshtuar në anën e shteteve të tjera perëndimore./REL

 


Video