
Shtetet e Bashkuara raportojnë se kanë identifikuar aktivitet të trupave ruse që largohen nga qyteti i Mariupolit, pavarësisht se nuk e kanë pushtuar ende. Lajmin e bëri të ditur një zyrtar amerikan i mbrojtjes gjatë një konference për shtyp.
Sipas Pentagonit, ushtarët e Moskës po zhvendosen nga jugu drejt veriperëndimit, për në Zaporizhzhia.
Ndërkohë, dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në qytetin rus Belgorod, në afërsi të Ukrainës. Lajmi u bë i ditur nga dy dëshmitarë të cilët folën për Agjencinë e Lajmeve “Reuters”.
Shpërthimet janë dëgjuar në pjesën jugore të qytetit, por nuk është ende e qartë se çfarë i shkaktoi shpërthimet dhe nëse ka dëme apo viktima.
Kujtojmë se Kremlini ka raportuar ditët e fundit se janë një seri sulmesh që sipas tij janë kryer nga forcat ukrainase në Belgorod dhe rajone të tjera jugore që kufizohen me Ukrainën.
Dje u dëgjua një shpërthim në fshatin Staraya Nelidovka në Belgorod dhe si pasojë një depo municioni në rajon mori flakë. Në fillim të këtij muaji, Guvernatori rajonal i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, pretendoi se një depo karburanti u godit nga dy helikopterë ushtarakë të Ukrainës pasi ata kaluan kufirin me Rusinë. Ditën e sotme Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova akuzoi Perëndimin se i bën thirrje hapur Kievit të sulmojë Rusinë dhe e paralajmëroi atë të mos testojë durimin e tyre.