
Britania e Madhe kërkon që Perëndimi të dërgojë armë të rënda jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, në vendet të cilat mund të vlerësohen si të cënueshme nga agresioni rus, apo proksit e Moskës.
Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, tha se "është koha për guxim, jo për kujdes” midis kombeve që ndihmojnë Ukrainën të luftojë kundër agresionit rus.
“Armë të rënda, tanke, avionë, të gërmojmë thellë në inventarët tanë, të rrisim r prodhimin. Ne duhet t'i bëjmë të gjitha këto", tha sekretarja Truss gjatë një fjalimi vjetor për politikën e jashtme në Mansion House, rezidenca e Lordit të Bashkisë së Londrës.
“Ne duhet të sigurohemi që krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre. Politika e dyerve të hapura të NATO-s është e shenjtë. Nëse Finlanda dhe Suedia zgjedhin të bashkohen si përgjigje ndaj agresionit të Rusisë, ne duhet t'i integrojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur", tha zonja Truss.