Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi me shumicë votash një projekt-ligj që mund të çojë në shpalljen e paligjshëm të rrjetit social kinez TikTok për rreth 170 milionë përdorues në të gjithë territorin amerikan.
Projektligji e detyron pronarin e “TikTok”, kompaninë kineze ByteDance që brenda gjashtë muajsh të heqë dorë nga aksionet, duke i shitur ato në SHBA.
Projektligji kaloi me 352 vota pro dhe 65 vota kundër, me mbështetje dypartiake, dhe tashmë do të shkojë në Senat.
Kjo është hera e parë SHBA miraton një projekt-ligj për shpalljen e jashtëligjshm të një aplikacioni interneti.
Frika e shumë ligjvënësve amerikanë, të cilët e shohin TikTok-un si një kërcënim të sigurisë kombëtare, është se regjimi kinez mund të kërkojë akses te të dhënat e përdoruesve të TikTok në SHBA ose ta detyrojë disi aplikacionin që të promovojë axhendën kineze.
TikTok ka pretenduar vazhdimisht se qeveria kineze nuk ka bërë kurrë kërkesa të tilla (dhe se TikTok nuk do t'i përmbushte ato kërkesa nëse do të bëheshin).
Në vitin 2020, pati një tentativë të dështuar për shitjen e TikTok, dhe me gjasë, ekspertët thonë se Ministria kineze e Tregtisë do ta ndalojë shitjen e aplikacionit edhe këtë herë.
Nëse TikTok shpallet i jashtëligjshëm në SHBA, rrjedhimisht vlera e aksioneve të tij do të bien, për shkak se do të bjerë edhe popullariteti, duke bërë që investitorët perëndimorë të humbasin rreth 8 miliardë dollarë të investuara deri më tani.