Sekretarja për shtyp e Donald Trump sulmon BBC: 100% me lajme të rreme

8 Nëntor 2025, 15:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Karoline Leavitt

Sekretarja për shtyp e presidentit Donald Trump, Karoline Leavitt, ka akuzuar BBC-në se është “100% fake news” dhe “një makineri propagandistike e majtë”.

Deklaratat e saj u bënë në një intervistë për gazetën britanike The Telegraph, pas kritikave ndaj transmetuesit publik për mënyrën se si kishte redaktuar një pjesë të fjalimit të Trump në një dokumentar.

Sipas një dokumenti të rrjedhur, që dyshohet të jetë hartuar nga ish-këshilltari i BBC-së për standardet editoriale, Michael Prescott, programi kishte bashkuar në mënyrë të manipuluar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të mbajtur nga Trump më 6 janar 2021, para sulmit ndaj Kapitolit. Në versionin e transmetuar, Trump shihej duke i nxitur mbështetësit e tij të “luftonin me gjithë forcë”, ndërsa ishte hequr pjesa ku ai u bënte thirrje të “protestonin paqësisht dhe patriotikisht”.

Në dokument përmenden edhe kritika të tjera për BBC-në, përfshirë mënyrën e mbulimit të luftës në Gaza nga BBC Arabic, ku pretendohet se janë përdorur komentatorë me qëndrime antisemitike ose pro-Hamas. Gjithashtu, thuhet se në redaksinë e BBC-së ekziston njëanshmëri ideologjike në raportimin mbi çështjet e identitetit gjinor dhe komunitetit LGBT, me mungesë balancimi dhe diskutimi kritik.

Në reagimin e saj, BBC deklaroi se nuk komenton për dokumente të rrjedhura, por se çdo reagim ndaj mbulimit të saj merret seriozisht dhe shqyrtohet me kujdes.

Sipas Leavitt, “çdo herë që jam në Britani dhe shoh BBC-në, dita më prishet nga propaganda dhe gënjeshtrat e tyre për Presidentin Trump”. Ajo tha se taksapaguesit britanikë “janë të detyruar të financojnë një makineri propagandistike të majtë që nuk pasqyron realitetin”.


Video