
Forcat ruse mbeten kryesisht të bllokuara në të gjithë Ukrainën, por kanë rreth 90% të fuqisë së tyre luftarake të mbledhur ende në dispozicion, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Zyrtari thotë se forcat ruse nuk kanë bërë përparime të rëndësishme drejt Kievit në veri apo veriperëndim dhe nuk ka asnjë lëvizje të forcave ruse në lindje të kryeqytetit.
Zyrtari amerikan thotë se rusët po përballen me rezistencë të madhe nga ukrainasit, megjithatë thekson se qyteti jugor i Mariupol mbetet i izoluar.
“Vazhdojmë të kemi bombardime të forta atje. Ukrainasit po e mbrojnë qytetin”, thotë zyrtari.
“Më shumë se 1080 raketa ruse janë lëshuar që nga fillimi i luftës”, shton ai.
Në reagim thuhet po ashtu se deklaratat për sulm me raketë në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Lviv duken të jenë të sakta, por shkalla e dëmeve nuk dihet.
Ndwrsa këshilltari i zyrës së presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovych, thotë se “faza aktive e luftës pritet të përfundojë pas 2-3 javësh”.
“Faza aktive pothuajse ka përfunduar pranë Kievit, Kharkiv, Sumy dhe Chernihiv. Edhe nëse rusët shtojnë disa rezerva diku apo përpiqen të shkojnë në ofensivë, përsëri do të përfundojë me disfatën e tyre. Fundi është këtu, ata humbën, strategjikisht dhe shpejt. Mendoj se në mes ose në fund të prillit, banorët e Kievit që janë larguar do të mund të kthehen në shtëpi”, shkruan Arestovych në rrjetet sociale.