
Qëndrimi i presidentit amerikan Donald Trump ndaj Rusisë duket se ka ndryshuar drastikisht gjatë javëve të fundit, kjo teksa Kremlini jo vetëm që nuk tregon dëshirë për t'i dhënë fund luftës, por ka shtuar sulmet ndaj objektivave civile me qindra të vrarë e të plagosur.
Së fundmi, SHBA ka vendosur ta mbështesë ushtarakisht Ukrainën, ndërsa duket se sanksione të tjera ekonomike do të godasin së shpejti Rusinë. Këto i ka zbuluar në një postim në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky, pas bisedës telefonike të tij me Trump.
Mesazhi i Zelenskyt:
Një bisedë produktive me Presidentin Trump, me fokusin kryesor sigurisht që t'i japim fund luftës. Jemi mirënjohës ndaj Presidentit të SHBA për të gjitha përpjekjet drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Është vërtet e domosdoshme të ndalojmë vrasjet sa më shpejt të jetë e mundur dhe e mbështesim plotësisht këtë. Shumë muaj mund të kishin kaluar pa luftë, nëse Rusia nuk do ta kishte zgjatur atë.
Sot, koordinuam qëndrimet tona - Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara. Shkëmbyem vlerësime për situatën: Rusët kanë intensifikuar brutalitetin e sulmeve të tyre. Presidenti Trump është plotësisht i informuar për sulmet ruse në Kiev dhe qytete e komunitete të tjera.
Sigurisht, folëm për sanksionet kundër Rusisë. Ekonomia e tyre vazhdon të bjerë dhe pikërisht për këtë arsye Moska është kaq e ndjeshme ndaj kësaj perspektive dhe vendosmërisë së Presidentit Trump. Kjo mund të ndryshojë shumë.
Diskutuam vendime të përbashkëta evropiane që mund të ndihmojnë mbrojtjen tonë. Tashmë kemi angazhime nga Holanda, Suedia, Norvegjia dhe Danimarka - mbi një miliard dollarë për armët amerikane që Ukraina do të marrë. Faleminderit! Ky bashkëpunim me vendet e NATO-s do të vazhdojë.
Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë dypalësh mbrojtës me Amerikën. Draft-marrëveshja për dronët është përgatitur tashmë nga pala ukrainase, ne jemi gati ta diskutojmë atë në detaje dhe ta përfundojmë atë. Një nga marrëveshjet më të forta që mund të jetë kjo.
Faleminderit çdo zemre amerikane që mbështet mbrojtjen tonë të jetës. Faleminderit, President Trump!