
Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani i është drejtuar me një thirrje të drejtpërdrejtë Kuvendit të Kosovës: Të veprojë pa humbur më tepër kohë dhe të mbyllë Gjykatën Speciale.
Meidani ka shërbyer si president i Shqipërisë nga nga viti 1997 deri në 2002, gjatë gjithë periudhës së luftës së Kosovës dhe pas saj, duke mbështetur fuqishëm çlirimin dhe angazhimin e UÇK-së, duke e konsideruar ndërkombëtarisht luftën si të drejtë kundër revanshizmit serb.
Në një intervistë për Top Channel, profesor Rexhep Meidani ka komentuar pretencën e dhënë nga Prokuroria Speciale për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, duke e cilësuar si të turpshme kërkesën për 180 vite burg.
"Unë personalisht them që vetë Kuvendi i Kosovës, mbasi pa stërzgjatjen e procesit duhet të mendonte të bënte rregullime në legjislacion, ose dhe përfundimin e kësaj gjykate ose ta lërë të jetë strukturë ndërkombëtare por të mos ketë gisht, gishtin e saj në këtë lloj paçavure", është shprehur Presidenti.
Ai i ka treguar gazetares Kristi Gongo për vizitën në qelitë e Hagës ku mbahen prej më shumë se 5 vitesh çlirimtarët, duke rrëfyer sesi i gjeti dhe sa pishmanë ishin bërë ata që kishin votuar ngritjen e Gjykatës Speciale.
Kristi Gongo: Z. President, a pajtoheni me këtë qëndrim që po ndryshon historia e luftës çlirimtare?
Rexhep Meidani: Në rradhë të parë është një vendim akuze i turpshëm deri në zhgënjim. Ndërsa përsa i përket historisë është e pamundur. Ata mund të tentojnë, mund t’i shërbejnë interesave të ndryshme në Serbi dhe në Rusi, por nuk ndryshon dot narrativën e vërtetë të luftës çlirimtare të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar që dha kontribut të madh për të ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës për të fituar lirinë.
-Pra, ju nuk mendoni se qasja e sotme e Gjykatës Speciale përputhet me mënyrën se si Perëndimi e shihte UÇK-në në vitet e luftës?
Rexhep Meidani: Absolutisht, i gjithë opinioni ndërkombëtar ishte në favor të popullit shqiptar të Kosovës dhe kundër revashinzmit serb.
-Pse po ndodh kjo situatë?
Rexhep Meidani: U prodhua një situatë e gënjeshtërt, u fillua me një botim të Carla del Ponte e cila ishte prokurorja e përgjithshme e Tribunalit që akuzonte për trafikim organesh gjatë luftës. Kjo kaloi më pas në dosje për Këshillin e Europës. Trysnia vazhdoi deri sa forcat politike në Kosovë ranë dakord të krijohet Gjykata Speciale, e të mos ishte në Kosovë për të mos patur ndikime. Natyrisht unë nuk isha dakord në takime miqësore se s’isha në detyrë.
-Çfarë ju thoshte Hashim Thaçi apo udhëheqësit e tjerë?
Rexhep Meidani: Le ta verifikojnë, meqë e kanë me merak.. që ne të dalim të pastër.
-Kur i dëgjoni akuzat sot dhe mesa i njihni, a besoni që mund të jenë të aftë të kryejnë krime monstruoze?
Rexhep Meidani: Asnjëherë nuk e kam besuar. Ata ishin udhëheqës me emocion, me dëshirë për të çliruar vendin e të gatshëm të sakrifikonin jetët e tyre.
-Në Hagë si i gjetët?
Rexhep Meidani: Nga pikëpamja psikologjike nuk ishte pozitive. Ndiheshe lodhja, zhgënjimi e bënte përjashtim Rexhepi që mbante humorin dhe bënte piktura. Mund të ishin të penduar që kishin dhënë miratimin e një strukture të tillë. Unë personalisht them që vetë Kuvendi i Kosovës, mbasi pastër stërgjatjen e procesit duhet të mendonte të bënte rregullime në legjislacion, ose dhe përfundimin e kësaj gjykate ose ta lërë të jetë strukturë ndërkombëtare por të mos ketë gisht, gishtin e saj në këtë lloj paçavure.
-Se duket sikur e deformon historinë me bekimin e vetë shtetit të Kosovës?
Rexhep Meidani: Po pikërisht, kjo është e rëndësishme. Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë, e është vonë madje.