“Po ndodhi, fiton Putini”, ndihma për Ukrainën shteron në Vitin e Ri?

5 December 2023, 13:45Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Po ndodhi, fiton Putini”, ndihma për Ukrainën shteron

Burimet financiare të përdorura të SHBA-së për Ukrainën janë duke shteruar, dhe nevojitet një autorizim i Kongresit për fonde të reja.

Republikanët atje po bëjnë rezistencë, duke ngjallur shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë e cila paralajmëron se  fondet e planifikuara për Ukrainën do të përfundojnë në fund të vitit dhe presidenti rus, Vladimir Putin mund ta fitojë luftën, nëse Kongresi nuk i jep dritën jeshile financimeve të reja.

Një letër e dërguar nga Drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Buxhetit të SHBA, Shalanda Young, drejtuesve të të dy dhomave të Kongresit tregon se po të mos veprojë parlamenti i SHBA, qeveria nuk do të ketë më fonde për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën ose për t’i ofruar pajisje Kievit nga rezervat e veta ushtarake, duke filluar nga Viti i Ri.

“Ne na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse koha. Nuk ka asnjë kusi magjike nga e cila mund të nxirren fondet. Nëse do të ndërpritet fluksi i armëve dhe pajisjeve nga SHBA, kjo do ta gjunjëzonte Ukrainën në fushën e betejës”, tha Young.

Ky fakt jo vetëm që do të rrezikonte sukseset e Ukrainës, por do të rriste gjasat e fitores së rusëve. “Nëse ndihma jonë anulohet, do të shkaktojë probleme të konsiderueshme për Ukrainën.”

Edhe nëse partnerët ndërkombëtarë do ta rrisin mbështetjen e tyre, ata nuk do të ishin në gjendje të kompensojnë ndihmën e SHBA, thotë ajo.

Young solli si shembull Departamenti Amerikan të Mbrojtjes, i cili ka përdorur tashmë 97% të fondeve të miratuara për Ukrainën. Paratë e destinuara për ndihmën ekonomike për Ukrainën tashmë janë përdorur në tërësi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, i ka kërkuar Kongresit në tetor që të miratojë një pako ndihme në vlerë të 106 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe Izraelin, por disa republikanë janë bërë pengesë e kërkojnë në këmbim të mbështetjes së tyre një politikë më të ashpër kufitare në kufirin me Meksikën./tch


Video