
Mediat në Moskë raportojnë se udhëheqësit pro rusë në Donetsk e Lugansk u kanë bërë thirrje popullsisë të largohen sa më parë nga këto zona në drejtim të Rusisë, pasi sipas tyre, forcat e Ukrainës kanë rritur ndjeshëm sulmet.
“Kur armiku bombardon, jeta e dhe shëndeti i qytetarëve tanë mund të jetë në rrezik. Prandaj, nga sot, 18 shkurt, po organizohet një evakuim masiv i popullsisë drejt Rusisë”, ka thënë Denis Pushilin, lideri i prorusëve në Donetsk.
Kievi akuzon rebelët për 60 shkelje të armëpushimit gjatë 24 orëve të fundit dhe thotë se një ushtar ka mbetur i plagosur. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë garanton se nuk ka ndërmend të nisë një ofensive kundër pozicioneve të separatistëve.
Këta të fundit, pretendojnë se është Kievi ai që po shkel armëpushimin duke lëshuar një seri predhash gjatë së enjtes dhe të premtes.
Ndërkohë, Kremlini shprehet i alarmuar lidhur me lajmet për shtim të bombardimeve në Donbas, me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov që tha se po përdoren edhe armë të ndaluar nga marrëveshja e Minskut.
Situatën e tensionuar në Donbas e ka konfirmuar edhe Presidenti i Francës Macron.